
Tensione të forta u regjistruan paraditen e së enjtes para Kuvendit të Shqipërisë, ku zhvillohej seanca plenare, ndërsa protestuesit u përplasën me forcat e Policisë së Shtetit.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, policia kishte vendosur një perimetër të zgjeruar sigurie, që shtrihej nga Rruga e Elbasanit deri pranë Ministrisë së Brendshme, duke mbajtur protestuesit disa qindra metra larg hyrjeve të Parlamentit.
Deputetët hynë në Kuvend kryesisht nga hyrja anësore pranë Pedonales, pa u përballur me sulme fizike, ndërsa u pritën me thirrje si: "Deputetë frikacakë", "Nuk na përfaqësoni", "Parlament i krimit", "Poshtë qeveria", "Ju erdhi fundi" dhe "Shqipëria kërkon revolucion".
Pasi nuk arritën t'u afrohen hyrjeve të Parlamentit, protestuesit hodhën vezë dhe domate në drejtim të efektivëve të Policisë. Momenti më i tensionuar u regjistrua pranë hyrjes kryesore të qendrës tregtare "Toptani", ku, pasi policia lejoi kalimin e një gruaje së bashku me një familjar me aftësi të kufizuara, një grup protestuesish tentoi të çante kordonin e sigurisë.
Ata arritën të zhvendosin një pjesë të gardhit metalik dhe u përplasën me efektivët, duke i goditur me vezë dhe domate. Si pasojë e incidenteve, gjashtë punonjës policie mbetën të lënduar, njëri prej tyre me dëmtime në kokë.
Për disa minuta protestuesit bllokuan Rrugën e Elbasanit, ndërsa rreth orës 09:40 Policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës duke përdorur ujë me presion, spraj me piper dhe gaz lotsjellës.
Megjithëse u përpoqën të largonin protestuesit, qytetarët u rikthyen sërish pranë Parlamentit, duke vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ata e cilësuan Kuvendin si "parlament i krimit".
Gjatë ndërhyrjes policore, disa protestues shfaqën probleme shëndetësore nga përdorimi i ujit me presion dhe sprajit me piper. Një i ri u pa me fashë në sy për shkak të irritimit, ndërsa dy protestues u transportuan me ambulancë pasi morën ndihmën e parë mjekësore.
Ndryshe nga ndërhyrjet e mëparshme, uji i përdorur nga policia kishte ngjyrë blu. Deri tani nuk ka një informacion zyrtar mbi përbërjen e lëndës së përdorur.
Sipas informacioneve paraprake, pesë persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit dhe janë dërguar në Komisariatin nr. 1 në Tiranë.
Ndërkohë, protesta vijoi edhe pas përplasjeve, me qytetarët që qëndruan në perimetrin e Kuvendit dhe vazhduan thirrjet kundër qeverisë. Në zonë mbeti e shtuar prania e forcave të Policisë së Shtetit dhe e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të angazhuara për monitorimin dhe garantimin e rendit.
Aktivistët dhe protestuesit pritën deputetët edhe përgjatë rrugës pedonale që të çon drejt Parlamentit, ku nuk munguan hedhjet e vezëve në drejtim të disa automjeteve dhe deputetëve të mazhorancës. Policia kishte blinduar perimetrin me gardhe metalike për të penguar afrimin e protestuesve pranë godinës së Kuvendit.






















