Sociale 2026-04-05 08:31:57 Nga VNA

Qytetet shqiptare, drejt standardeve europiane. Sa gati jemi?

Ndaje në Whatsapp
Qytetet shqiptare, drejt standardeve europiane. Sa gati jemi?

Çfarë kërkon BE-ja për qytetet shqiptare, ku qëndron vendi sot dhe cilat janë sfidat kryesore të zbatimit në terren.

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, krahas aspekteve kyçe si sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve, ekonomia dhe konkurrueshmëria, standardet e mjedisit dhe energjisë, infrastruktura dhe siguria publike, reflektohet më drejtpërdrejt në jetën e përditshme, konkretisht në qytetet ku jetojmë.

Në planifikimin e hapësirës, mjedisin urban, pronat, standardet dhe sigurinë e ndërtesave, si dhe eficiencën e energjisë, BE-ja ka standarde të qarta për shërbimet dhe qeverisjen urbane. Shqipëria, tashmë në negociata, duhet t’i përafrojë këto rregulla me realitetin e saj dhe të tregojë se mund t’i zbatojë në terren.

Çfarë kërkon konkretisht Brukseli për bashkitë dhe qytetet shqiptare, ku jemi sot dhe cilat janë boshllëqet kryesore? Ky shkrim përmbledh fushat ku procesi i integrimit prek drejtpërdrejt jetën urbane dhe vendos secilën prej tyre përballë dy pyetjeve themelore:

“Çfarë kërkon BE-ja?” dhe “Ku qëndron Shqipëria?”. Vëmendja shkon te sektorët kyç: planifikimi rajonal dhe urban, mjedisi urban, e drejta e pronës dhe kadastra, mobiliteti urban dhe siguria rrugore, standardet e ndërtimit dhe eficienca e energjisë, si dhe hapësirat publike, gjelbërimi dhe zhurma urbane.

Në këtë kontekst, “acquis” është paketa e ligjeve dhe standardeve që çdo vend kandidat duhet t’i përafrojë dhe t’i zbatojë për t’u anëtarësuar në BE. Për qytetet, kjo përkthehet në kërkesa konkrete për planifikimin e investimeve, menaxhimin e shërbimeve, standardet e sigurisë, mjedisit dhe transparencës në vendimmarrje.

BE kërkon plane afatgjata dhe të koordinuara mes qeverisë qendrore dhe bashkive, në mënyrë që investimet të shpërndahen më të balancuara mes rajoneve (jo vetëm në disa qendra). Një standard kyç është pjesëmarrja publike. Planet urbane duhet të shoqërohen me konsultime dhe me Vlerësim Strategjik Mjedisor (SEA/VSM).

 Aktualisht, Shqipëria ka bërë hapa përpara në këtë aspekt. Kuadri ligjor i planifikimit është reformuar pas vitit 2014; në shumicën e bashkive janë miratuar plane të përgjithshme vendore, ndërsa në nivel kombëtar është miratuar Strategjia për Zhvillimin Rajonal 2021–2027.

Në funksion të politikës së kohezionit, vendi është ndarë në 4 rajone zhvillimore dhe është krijuar Komiteti Kombëtar i Zhvillimit Rajonal, për të koordinuar investimet dhe për të ulur pabarazitë mes rajoneve.

Problemi kryesor mbetet zbatimi. Komisioni Europian vëren se bashkive u mungojnë kapacitete dhe burime për ta kthyer planifikimin në projekte të zbatueshme. Konkretisht, mungojnë specialistë, financime dhe koordinim i qëndrueshëm mes nivelit qendror dhe atij vendor. Edhe konsultimi publik dhe Vlerësimi Strategjik Mjedisor për planet shpesh trajtohen formalisht.

Mjedisi urban (ujë, mbetje, ajër)

Në BE, standardet urbane lidhen drejtpërdrejt me shëndetin publik. Qytetet duhet të kenë rrjete kanalizimesh dhe impiante trajtimi për ujërat e ndotura, që ndotja të mos përfundojë pa trajtim në lumenj apo në det. Po aq e rëndësishme është cilësia e ujit të pijshëm dhe një furnizim i besueshëm për qytetarët.

Te mbetjet, politika europiane shtyn fort riciklimin dhe uljen e depozitimit në landfill; objektivat afatgjata (p.sh. 2035) kërkojnë nivele shumë më të larta riciklimi sesa praktika aktuale në rajon. Ndërkohë, ajri i pastër dhe menaxhimi i zhurmës urbane trajtohen me standarde monitorimi dhe plane veprimi, për të ulur ekspozimin e qytetarëve ndaj ndotjes dhe stresit akustik.

“Ku qëndron Shqipëria në këto tre fronte: ujë, mbetje dhe ajër, është testi më i prekshëm i standardeve europiane në jetën e përditshme.”

Tabloja është miks dritë–hije. Në ujërat e ndotura, kapacitetet e trajtimit mbeten të kufizuara dhe vetëm pak qytete kanë impiante funksionale ose pjesërisht funksionale; si pasojë, një pjesë e madhe e ujërave urbane vijon të shkarkohet pa trajtim të plotë.

Në sektorin e ujësjellës–kanalizimeve janë ndërmarrë hapa reformues, përfshirë miratimin e Strategjisë Kombëtare 2023–2030 dhe nisjen e procesit të konsolidimit të operatorëve drejt strukturave rajonale. Po ashtu, ndryshimet ligjore të viteve të fundit synojnë menaxhim më të integruar të burimeve ujore dhe rritje të performancës së shërbimit.

Megjithatë, rezultati në terren varet nga investimet dhe nga eficienca e operatorëve, sidomos ulja e humbjeve në rrjet, të cilat vazhdojnë të raportohen shumë të larta.

Te mbetjet urbane, kuadri ligjor është rifreskuar me synim “ndarje në burim – riciklim – kompostim” dhe me parimin që ndotësi paguan, duke rishpërndarë rolet mes nivelit qendror (infrastruktura/landfillet) dhe bashkive (grumbullimi/shërbimi lokal). Por sfida reale është zbatimi. Financimi i kapaciteteve të reja, funksionimi i tarifave të përballueshme për familjet dhe krijimi i zinxhirit të riciklimit, mbeten ende të pamjaftueshme.

Ndërkohë, cilësia e ajrit në qytete ndikohet nga trafiku, flota e vjetër e automjeteve, ngrohja sezonale dhe pluhuri i kantiereve. Ka dokumente strategjike dhe standarde kombëtare të përafruara, por monitorimi nuk mbulon në mënyrë të barabartë të gjitha qytetet dhe masat konkrete (menaxhim trafiku, transport publik, zona me emetime të ulëta, gjelbërim urban) janë ende në faza të pjesshme.

Për sa i përket zhurmës urbane janë nisur disa nisma pilot (harta akustike dhe plane veprimi), por zbatimi i masave dhe mbulimi me monitorim mbeten ende të pjesshme në qendrat e mëdha.

E drejta e pronës dhe kadastra

Një kusht themelor në procesin e integrimit është siguria juridike e pronës private. Në praktikë, BE kërkon një regjistër kadastral të saktë dhe të besueshëm, ku pronësia dhe kufijtë e pasurive të jenë të qarta, të parandalohen mbivendosjet dhe pasaktësitë përmes standardizimit të procedurave kadastrale; ndërsa zgjidhja e mosmarrëveshjeve të garantohet me procedura të qarta administrative dhe gjyqësore, brenda afateve.

Po aq e rëndësishme është që legalizimet, prishjet e ndërtimeve pa leje dhe shpronësimet për investime publike të bëhen me transparencë, me të drejtë ankimi dhe me dëmshpërblim të drejtë, sipas ligjit.

Kjo është një nga fushat ku Shqipëria ka pasur historikisht vërejtje të vazhdueshme, sepse trashëgimia e tranzicionit (tokat pas ’91-shit, informaliteti i ndërtimit, konfliktet e pronësisë) e ka bërë procesin kompleks dhe të zgjatur.

Sot, mbulimi i regjistrimit është rritur ndjeshëm, por hendeku kryesor lidhet me cilësinë e të dhënave. Ka gabime në kufij, mbivendosje, dosje të paplota dhe digjitalizim ende i pjesshëm. Kjo krijon pasiguri juridike dhe kosto ekonomike, nga vonesat në projektet publike deri te hezitimi i investitorëve kur titujt e pronësisë janë të diskutueshëm.

Legalizimet kanë avancuar dhe kanë formalizuar një pjesë të konsiderueshme të ndërtimeve informale, duke u dhënë familjeve tituj pronësie dhe mundësi përdorimi ekonomik (shitje, trashëgimi, kolateral). Megjithatë, mbetet një stok dosjesh komplekse.

Aktualisht evidentohen ndërtime në parcela me status juridik të paqartë, raste konfliktesh pronësie, zona të parashikuara nga planet urbane për funksione publike si shkolla, parqe apo infrastrukturë, si dhe objekte që nuk përmbushin kushtet teknike dhe ligjore për legalizim. Paralelisht, qasja ndaj ndërtimeve të reja pa leje është bërë më e rreptë.

Në rastet e prishjeve dhe shpronësimeve, veprimet ndërmerren brenda kuadrit procedural përkatës, përfshirë njoftimin, transparencën dhe të drejtën e ankimit, ndërsa shpronësimet administrohen përmes institucioneve përgjegjëse (Agjencia Shtetërore e Shpronësimit), sipas akteve në fuqi.

Një nyje tjetër është kompensimi i ish-pronarëve, që lidhet drejtpërdrejt me besueshmërinë e shtetit ligjor. Kuadri ligjor dhe institucionet ekzistojnë, por ritmi dhe transparenca e procesit vijojnë të konsiderohen problematike në raportet e progresit të Komisionit Europian.

Në tërësi, problemi nuk është mungesa e ligjeve, por zbatimi: modernizimi i sistemit kadastral, pastrimi i të dhënave, forcimi i kontrollit dhe integritetit institucional, si dhe ulja e hapësirave për abuzim.

Për zhvillimin urban, kjo do të sillte, më pak konflikte, më pak vonesa dhe më shumë siguri për investime publike e private.

Mobiliteti urban dhe siguria rrugore

 BE e shtyn qytetin drejt lëvizshmërisë së qëndrueshme; me më pak varësi nga makina dhe më shumë transport publik, ecje dhe biçikletë. Kjo përkthehet në plane të mobilitetit urban sipas praktikave europiane (SUMP), që vendosin objektiva dhe masa konkrete si: përmirësimi i transportit publik, korsi të posaçme, rrjete biçikletash, zona pedonale dhe menaxhim më të zgjuar të parkimit, për të ulur trafikun dhe ndotjen.

Një tjetër shtyllë është siguria rrugore. BE kërkon ulje të aksidenteve përmes standardeve të infrastrukturës, sinjalistikës, kontrollit të shpejtësisë dhe edukimit rrugor, me monitorim dhe llogaridhënie.

Në këtë kuadër, raportet e progresit të Komisionit Europian theksojnë nevojën për një strukturë më të qartë dhe me kapacitete të posaçme për sigurinë rrugore, përtej komiteteve apo task-forcave të përkohshme.

Transporti publik në Shqipëri mbetet i kufizuar dhe i pabarabartë mes qyteteve. Tirana ka rrjetin më të madh urban dhe ka miratuar një Plan të Qëndrueshëm të Mobilitetit Urban (SUMP), në përputhje me metodologjinë e BE-së.

Megjithatë, sipas krahasimeve të fundit europiane për cilësinë e transportit publik, Tirana renditet në fund të tabelës mes qyteteve të analizuara, duke reflektuar probleme në frekuencë, integrim linjash, informacion për udhëtarët dhe përvojë shërbimi.

Në qytetet e tjera kryesore, hendeku është edhe më i madh: shërbimi mbetet më modest, flota dhe frekuenca janë më të kufizuara, ndërsa planifikimi i integruar i mobilitetit është më pak i zhvilluar.

Në praktikë, koncepti i “transportit të qëndrueshëm” është në fazë tranzitore: janë ndërmarrë disa masa (korsi biçikletash, pilotime me autobusë elektrikë, projekte për menaxhim trafiku), por mungon ende një sistem i integruar që t’i japë përparësi realisht transportit publik ndaj makinës private, përmes menaxhimit të parkimit, korsive të posaçme funksionale dhe ndërhyrjeve të koordinuara për këmbësorë e biçikleta.

Një tregues i drejtpërdrejtë i kësaj strukture mobiliteti është siguria rrugore urbane. Në qendrat e mëdha, aksidentet dhe ekspozimi i këmbësorëve ndaj rrezikut mbeten problem i ndjeshëm. Kjo lidhet si me infrastrukturën (kryqëzime me risk, sinjalistikë, ndriçim, trotuaret), ashtu edhe me sjelljen e përdoruesve dhe zbatimin e rregullave.

Në nivel politikash, Shqipëria ka përcaktuar objektiva për uljen e viktimave në rrugë dhe ka dokumente strategjike në këtë drejtim.

Sfida tani është zbatimi: masa konkrete (kontroll shpejtësie, rregulla më të forta, ndërhyrje të sigurta në “pikat e zeza”, kalime këmbësorësh të mbrojtura, rreth-rrotullime ku duhet) dhe financim i qëndrueshëm për investime urbane që e bëjnë lëvizshmërinë më të sigurt dhe më pak të varur nga makina.

Standardet e ndërtimit dhe eficienca e energjisë

Pas tërmeteve të fundit dhe rritjes së kostove të energjisë, standardet e ndërtimit janë kthyer në temë jetike urbane. Në praktikën europiane, projektimi modern mbështetet tek Eurokodet, që vendosin rregulla të harmonizuara për sigurinë strukturore të ndërtesave dhe veprave (përfshirë kërkesat sizmike).

Përafrimi me këto standarde do të thotë: ndërtesa më të sigurta, kontroll më i qartë i përgjegjësive teknike dhe një bazë më e fortë për inspektim e mbikëqyrje.

Paralelisht, BE vendos kërkesa të forta për eficiencën e energjisë në ndërtesa, me standarde minimale për performancën termike, sisteme më efikase ngrohje/ftohje dhe përdorim të certifikimit energjetik. Për qytetarët, kjo përkthehet në fatura më të ulëta dhe komoditet më të mirë; për qytetet, në ulje të emetimeve dhe presion më të vogël mbi rrjetet energjetike.

Një tjetër dimension është tregu i produkteve të ndërtimit. Harmonizimi me rregullat europiane (p.sh. kërkesat e certifikimit/CE) synon që materialet dhe produktet të qarkullojnë me standarde të njëjta sigurie e performance, duke ulur riskun e cilësisë së dobët dhe barrierat tregtare.

Në Shqipëri, problemi kryesor nuk është mosekzistenca e standardeve, por kalimi nga kuadri në zbatim. Në projektimin strukturor, kalimi drejt zbatimit të plotë të Eurokodeve është një proces tranzicioni.

Përveç miratimit formal të standardeve, nevojiten Anekse Kombëtare të konsoliduara, trajnime të detyrueshme për projektuesit, përditësim i praktikave të kontrollit teknik dhe kapacitete të qëndrueshme inspektimi në terren. Pa këtë zinxhir të plotë profesional, ekziston rreziku që zbatimi të jetë i pabarabartë dhe standardi real të ndryshojë nga një projekt në tjetrin.

Në eficiencën energjetike, projektet po shtohen, si për shembull: termoizolim në ndërtesa publike, ndërhyrje në shkolla e çerdhe, modernizim i ndriçimit dhe instalim panelesh diellore, shpesh me mbështetje donatorësh.

Megjithatë, ndikimi mbetet i kufizuar nga dy faktorë: mungesa e programeve të gjera dhe të qëndrueshme shumëvjeçare, si dhe sfida e mirëmbajtjes pas investimit. Investimi fillestar është vetëm hapi i parë; kursimet reale dhe performanca energjetike varen nga funksionimi i vazhdueshëm i sistemeve dhe menaxhimi korrekt i tyre në kohë.

Sa u përket produkteve të ndërtimit, problemi praktik është kontrolli i cilësisë dhe gjurmueshmëria në treg. Harmonizimi me rregullat europiane (përfshirë kërkesat e performancës dhe certifikimit) krahas çështjeve tregtare, ndikon drejtpërdrejt sigurinë, jetëgjatësinë dhe eficiencën e ndërtesave.

Për Shqipërinë, kjo do të thotë më shumë standardizim, më shumë kontrolle reale dhe më pak hapësirë për materiale shumë të lira që e ulin cilësinë dhe jetëgjatësinë e objekteve në mënyrë të padukshme, duke rritur kostot e mirëmbajtjes dhe riparimeve në afatgjatë.

Hapësirat publike, gjelbërimi dhe zhurma urbane

Në politikat europiane, gjelbërimi urban konsiderohet infrastrukturë funksionale me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik, jo thjesht element dekorativ.

Qytetet e qëndrueshme duhet të garantojnë hapësira publike funksionale (parqe, sheshe, terrene sportive, korridore këmbësorësh) dhe të rrisin sipërfaqet e gjelbra për të ulur efektin e ishullit të nxehtësisë urbane, për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të mbrojtur mirëqenien sociale.

Në dimensionin e natyrës, acquis kërkon respektimin e parimeve të ruajtjes së biodiversitetit dhe vlerësimeve mjedisore për projektet. Para miratimit të investimeve që prekin habitate të ndjeshme, duhet analizë e ndikimit dhe masa shmangëse/zbutëse.

Për zhurmën, standardi europian kërkon monitorim përmes hartave akustike dhe plane veprimi për uljen e ekspozimit të banorëve, sidomos në zonat e banuara dhe pranë akseve të trafikut.

Në shumë qytete shqiptare, veçanërisht në zonat me dendësi të lartë ndërtimi, hapësirat publike dhe sipërfaqet e gjelbra janë të kufizuara. Zhvillimi i shpejtë urban dhe intensifikimi i ndërtimit kanë reduktuar disponueshmërinë e tokës për parqe, korridore të gjelbra dhe hapësira komunitare, duke e bërë zgjerimin apo krijimin e tyre gjithnjë e më kompleks nga pikëpamja financiare, ligjore dhe pronësore.

Sa i përket zhurmës urbane, rritja e trafikut, aktivitetet e natës dhe kantieret e ndërtimit kanë shtuar presionin akustik në disa zona të qyteteve të mëdha. Janë hedhur hapa në drejtim të monitorimit, hartëzimit të niveleve të zhurmës dhe zbatimit të masave të para administrative e teknike, përfshirë kontrollin e orareve për aktivitete të caktuara dhe përdorimin, në disa raste, të materialeve që ndihmojnë në uljen e zhurmës.

Megjithatë, shtrirja dhe efekti i këtyre ndërhyrjeve mbeten ende të pabarabarta, sidomos në akset me trafik të rënduar dhe në zonat me ekspozim të lartë.

Siç shihet, shtyllat e zhvillimit urban sipas standardeve europiane janë të shumta dhe të ndërlidhura. Mund t’i imagjinojmë si shtylla të ndryshme të së njëjtës strukturë. Nëse njëra neglizhohet, zhvillimi urban mbetet i pakompletuar.

Për shembull, s’mund të kesh një qytet modern vetëm duke ndërtuar pallate të reja, pa zgjidhur pronësinë e truallit ku ndërtohet, ujin e pijshëm, kanalizimet apo trafikun që krijohet. Këtë qasje gjithëpërfshirëse reflektojnë edhe pritshmëritë e BE-së për zhvillimin urban.

Në termat e negociatave, sfida kryesore përkthehet në kalimin nga miratimi i ligjeve dhe strategjive tek implementimi rigoroz në terren, me kapacitete institucionale, financim të qëndrueshëm, mekanizma monitorimi dhe mirëmbajtje funksionale të aseteve publike./Monitor

Video

Një aksident me pasojë vdekjen është shënuar në aksin rrugor Fier–Shegan, ku ka humbur jetën 35-vjeçari Klevis Gjoni, drejtues i një motoçiklete. Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Caddy” ishte duke kryer manovër për t’u kthyer në anën tjetër të rrugës për të hyrë në banesë, ndërkohë që motoçikleta tentoi parakalimin në të njëjtën korsi, duke u përplasur me mjetin. I riu u transportua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.

Një avion i vogël ka kryer një ulje emergjente në një autostradë në Pensilvani, pas problemeve me motorin menjëherë pas ngritjes. Sipas raportimeve të CBS News, në bord ndodheshin piloti 65-vjeçar dhe një pasagjer 34-vjeçar, të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime.

Një burrë u sulmua nga pas nga një pasagjer tjetër ndërsa priste trenin në platformën e metrosë në Seattle, në SHBA. Viktima u shty drejt shinave pikërisht në momentin kur treni po kalonte, por arriti të shpëtojë për pak sekonda nga përplasja. Pamjet e incidentit, të publikuara nga King County Prosecuting Attorney’s Office, janë përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale dhe janë bërë virale. I dyshuari, i identifikuar si Elisio Melendez, është arrestuar dhe tani përballet me akuzën për tentativë vrasjeje. Sipas autoriteteve, mbi të rëndon edhe një vlerësim psikiatrik i urdhëruar më herët për episode të tjera dhune.

Korrupsionin e kemi të trashëguar se ne nuk e njohim këtë fenomen… hajde mos e beso

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news