Bordi i Transparencës së Hidrokarbureve vemdosi dje të rishikojë çmimin e naftës, pas rritjes së tij në bursat ndërkombëtare. Çmimi i pakicës u rrit me 6 lekë/litër, duke arritur në 124 lekë, ndërsa hyrja në fuqi e vendimit për uljen e akcizës me 20% amortizoi me 9.4 lekë çmimin final, përndryshe ai do të kishte arritur në 133.4 lekë. Këto çmime do të jenë në fuqi, të paktën deri të mërkurën, kur pritet të mblidhet sërish Bordi.
Por, si u llogarit ky çmim?
Bordi i Transparencës, që u riaktivizua rreth një javë më parë, e ka llogaritur çmimin, referuar të dhënave të dërguara nga Dogana lidhur me mbylljen e bursës Platts të datës 2.04. 2026, ku Gazoil (FOB- pa kosto sigurimi e transport) arriti në 1,572 $ / TON, nga 1370 USD që ishte ditën e mëparshme, me një rritje gati 200 dollarë për një ditë. Këtij çmimi i shtohet një Premio 30$/ton sipas publikimit të Doganave. Vetëm çmimi i blerjes arrin në 113 lekë për litër.
Taksat kryesore (Qarkullimi, akciza e rishikuar, karboni dhe TVSH) arrijnë në 95.9 lekë për litër (nga 105.4 litër nëse do ishte akciza e pandryshuar). Këtyre u shtohen dhe 3 lekë marzh për shumicën e 12 lekë për pakicën, ku përfshihen gjithë kostot e tjera, si pagat, taksat locale, transporti etj. (shiko tabelën në fund për formulën e çmimit).
Taksat kryesore përbëjnë 43% të çmimit final të pakicës, nga 45%, nëse nuk do të ishte ulur akciza, me një diferencë të papërfillshme!
Debati në mbledhje, formula pritet të rishikohet sërish
Në mbledhjen e fundit sërish pati debate për mënyrën se si Bordi ka llogaritur çmimin. Importuesit u ankuan se përllogaritja bëhet në bazë të çmimit FOB (Free on Board), që nuk merr në konsideratë transportin dhe sigurimin, dhe jo të çmimit CIF, që përfshin transport e sigurim dhe që e rrisin edhe me 45-50 dollarë për ton çmimin e blerjes, duke e çuar në rreth 1620 dollarë.
Bordi u kërkoi importuesve të shohë kontratat, në mënyrë që të bindej se ata e paguajnë naftën me çmimin CIF të ditës që e nxjerrin në treg dhe jo në ditën që e blejnë. (sipas importuesve, në momentin e importit, produkti fizikisht kalon në pronësi dhe ruajtje të kompanisë shqiptare, ndërsa vlera financiare mbetet ende në ngarkim të furnitorit, Çdo ditë, në varësi të kërkesës së tregut vendas apo kërkesës nga vendet fqinje për rieksport, kompania shqiptare i dërgon kërkesë furnitorit për lirimin e produktit për arsye të hedhjes së tij në treg. Furnitori, bazuar në çmimin Platts të ditës, mbyll çmimin për sasinë përkatëse, lëshon faturën dhe mbi këtë bazë kryhet pagesa.)
Bordi ra dakord, që nëse sheh kontratat do të rishikojë dhe formulën, në takimin e radhës, që u la të mërkurën. Nëse do të pranohet si referencë çmimi CIF, atëherë sipas llogaeitjeve të formulës, kjo do ta shtonte çmimin final të pakicës edhe me 4-5 lekë për litër./Monitor.al/






















