Ndërtekst 2026-04-13 11:06:00 Nga VNA

Brenda mendjes së atentatorit të reputacioneve

Ndaje në Whatsapp
Brenda mendjes së atentatorit të reputacioneve

“Më kishin intriguar gjithmonë konceptet e ndikimit keqdashës, operacionet psikologjike dhe propaganda që kishte në shënjestër njerëzit e thjeshtë”.
— Jesika Aro, Karremi i Putinit

Në shikim të parë, një libër për luftën e informacionit nuk duket se i përket një serie reflektimesh për komunikimin në vendin e punës. Megjithatë, mekanizmat e shpëlarjes së trurit dhe të shkatërrimit të “armikut” që përshkruan Jesika Aro nuk kufizohen vetëm në gjeopolitikë. Ato pasqyrojnë modele të studiuara nëpër sisteme të ndryshme propagande dhe në periudha të ndryshme të historisë së njeriut.

Shkalla ndryshon, por logjika në themel dallohet dhe efektet janë të ngjashme: bëhet një lloj atentati, jo shkatërrimi fizik i trupit, por shkatërrim i qëllimshëm i karrierës dhe i jetës së një individi.

Në thelb të këtyre sistemeve nuk qëndron thjesht bindja, por ndërtimi. Realiteti ndërtohet. Prezantohet një version i ngjarjeve (lexo: portreti i një personi pikturohet në mënyrë specifike), ky realitet përsëritet dhe përforcohet derisa të gjithë familjarizohen me të. Me kalimin e kohës, familjarizimi fillon të zëvendësojë verifikimin. Çfarëdo që përsëritet mjaftueshëm, fillon të ngjajë si kontekst.

Propaganda nuk ka gjithmonë si qëllim t’i bëjë njerëzit të besojnë gënjeshtrën, por synon ta gërryejë aftësinë e tyre për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta. Aroja dokumenton dinamikë të ngjashme në luftën bashkëkohore të informacionit, që kultivon një mjedis ku interpretime të caktuara, përmes përsëritjes dhe volumit, bëhen dominuese.

Në vendet e punës, mekanizmat e tillë shfaqen në forma më të zbutura dhe më informale, por ndjekin strukturë të ngjashme. Lëshohet një llaf për një individ: mund të jetë llaf spekulativ, i anshëm ose krejtësisht i pabazë. Mirëpo vetëm saktësia nuk ka rëndësi në këtë rast, por qëllimi dhe fuqia e përhapjes së llafit. Teksa llafi qarkullon nëpër biseda, ai modifikohet, përsëritet, i mvishen elemente të reja dhe, me kalimin e kohës, shkëputet nga origjina e vet dhe nis të funksionojë si fakt i pranuar.

Këtu nis e merr formë atentati ndaj karakterit, jo si ngjarje e vetme, por si proces.

Historikisht, sistemet e propagandës janë mbështetur në reduktim. Individë kompleksë riformulohen brenda tipologjisë. Në retorikën propagandistike, “armiku” përcaktohej përmes tipareve fikse, ndërsa individëve u hiqej nuanca dhe riklasifikoheshin si kategori. Qëllimi nuk ishte vetëm diskreditimi, por që përjashtimi i tyre të dukej i arsyeshëm.

Reduktimi i ngjashëm mund të ndodhë edhe në mjedise profesionale. Veprime specifike të individit të shënjestruar riinterpretohen si tipare të tij, të shkëputura nga konteksti. Individi nuk përshkruhet më nga ajo që bën, por nga ajo që është: nga vjen, si flet, si vishet, madje edhe nga intolerancat ushqimore që ka. Pasi ndodh kjo zhvendosje, bisedat nuk sillen më rreth qëndrimeve të individit, por identitetit të tij.

Pastaj vjen dehumanizimi, edhe pse nuk emërtohet ashtu. Nuk shfaqet armiqësi e hapur. Dehumanizimi në vendin e punës vepron përmes distancës. Bëhet më e lehtë ta përflasësh individin sesa ta përfshish në dialog. Vendimet rreth tij fillojnë të duken më pak si gjykime etike dhe më shumë si domosdoshmëri administrative.

Ajo çka e bën këtë proces të vështirë për t’u identifikuar është fakti se rrallëherë duket i koordinuar nga jashtë. Ashtu si në propagandën shtetërore, shpesh ekziston një “komitet qendror”, por që fshihet mirë, ndërsa kolegët pjesëmarrës e përjetojnë veten thjesht si shkëmbyes mendimesh apo si njerëz që po harmonizojnë perspektivat. E megjithatë, efekti kumulativ shpalos sisteme shumë më të strukturuara. Përsëritja krijon besueshmëri.

Me kalimin e kohës, formohet konsensusi që nuk mbështetet në prova, por në përputhje. Pasi ky konsensus hedh rrënjë, ai përforcohet vetë. Informacioni i ri interpretohet përmes narrativës ekzistuese. Përpjekjet për ta sfiduar shpërfillen.

Për individin e shënjestruar, pasojat nuk janë abstrakte. Fjalët e tij peshojnë më pak. Veprimet e tij interpretohen paraprakisht. Përpjekjet për të sqaruar filtrohen përmes supozimeve që tashmë kanë hedhur rrënjë. Në një mjedis të tillë, e vërteta nuk zhduket, por mbetet pakicë.

Nga ky këndvështrim, mobingu në vendin e punës mund të kuptohet jo vetëm si konflikt ndërpersonal, por si një formë e konsolidimit të narrativës. Krahasimi me propagandën historike nuk ka të bëjë me barazim të shkallës apo qëllimit, por me mekanizma të përbashkët: përsëritja, reduktimi, dehumanizimi dhe normalizimi gradual i një realiteti të sajuar, që e bën më të lehtë “eliminimin” e tjetrit në vendin e punës.

Lexo gjithashtu

Video

Zsolt Hegedus, kandidat për ministër Shëndetësie nga partia “Tisza”, është bërë viral në rrjetet sociale me kërcimin e tij gjatë festimeve, pasi partia ku bën pjesë i fitoi bindshëm zgjedhjet në Hungari. Kërcimi i tij ka shkaktuar një valë reagimesh dhe komentesh në TikTok.

Çfarë ndodh kur grupi i Përmetit niset për një festival ne Francë…

Arabia Saudite ka urdhëruar mbylljen e shkollave pas përmbytjeve të rënda që përfshinë disa pjesë të vendit. Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur rrugët në kryeqytetin Riad, si dhe në rajonin e Al Ahsa, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe rrezik për banorët.

Hoteli 23-katësh Mandarin Oriental Hotel Miami, dikur një simbol i njohur i horizontit të Majemit, u shemb përmes një shpërthimi të kontrolluar nga kontraktorët në më pak se 20 sekonda.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news