
Ministria e Mbrojtjes njofton se në 24 orët e fundit janë regjistruar 10 vatra zjarri në vend, nga të cilat 6 janë shuar, ndërsa 4 mbeten ende aktive.
Situata më problematike paraqitet në zonën e Pishë-Poros në Vlorë, ku zjarri është përhapur me shpejtësi në një terren ranor pranë fshatit Delisuf, njësia administrative Novoselë. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në drejtim të fshatit Pishë-Poro. Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja me mjete zjarrfikëse është e kufizuar, ndonëse në terren ndodhen 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, si dhe forca nga AdZM dhe bashkia.
Për të mbështetur operacionin, janë angazhuar edhe katër helikopterë, dy nga Forca Ajrore Shqiptare dhe dy të ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Vatra të tjera aktive janë regjistruar në Parkun Natyror të Gërmenjit (bashkia Kolonjë), në fshatin Pezë Helmës (njësia administrative Pezë), dhe në fshatin Bogovë (bashkia Skrapar).