Hetimet për publikimin dhe shpërndarjen e videove me përmbajtje intime ku shfaqet kompozitori Adrian Hila dhe artiste të ndryshme vijojnë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë përcaktuar se kush qëndron pas nxjerrjes së materialeve në internet. Ndërkohë, video të tjera dyshohet se vijojnë të publikohen në faqe pornografike.
Në kuadër të hetimeve, Sektori për Krimin Kibernetik në Policinë e Tiranës ka marrë në pyetje edhe tre vajza që shfaqen në materialet e publikuara.
Sipas raportimeve, ato kanë pranuar se kanë pasur marrëdhënie me kompozitorin, por kanë deklaruar se përgjegjësia nuk duhet kërkuar vetëm tek ai. Ato kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi personat që kanë siguruar, shpërndarë apo publikuar materialet private.
Çështja tashmë i është referuar Prokurorisë së Tiranës. Materialet janë dërguar për disa vepra penale të dyshuara, mes të cilave përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, ndërhyrja në të dhënat kompjuterike, keqpërdorimi i pajisjeve dhe ndërhyrja e padrejtë në jetën private.
Hetimet vijojnë për të zbuluar se si janë siguruar materialet dhe kush është përgjegjës për publikimin dhe shpërndarjen e tyre.





















