Nga Desada Metaj
Ndërkohë që çështja Balluku mbetet e pazgjidhur politikisht, ndërkohë që premtimet e Berishës për “luftën finale” kundër Ramës vijojnë të shterojnë energjinë e tyre vetëm në konferenca për shtyp pa asnjë substancë, dhe ndërkohë që të dy liderët janë të zhytur deri në grykë me administrimin autokratik të partive të tyre — njëri me përjashtime nga qeveria dhe ulërimë në mbledhje të mbyllura, tjetri me largime dhe vetperjashtime të një duzinë funksionarësh lokalë e qendrorë — pikërisht në këtë klimë errësire dhe hutie politike, PS dhe PD kanë gjetur kohën dhe qetësinë të bien dakord për marrëveshjen e radhës. Këtë herë, objekti i pazarit është një nga komponentët më të rëndësishëm të reformës zgjedhore: ligji për financimin e partive politike. Gjiknuri dhe Bylykbashi e bënë publik projekligjin e dakordësuar, duke e paraqitur si arritje të përbashkët dhe si përmbushje të rekomandimeve ndërkombëtare.
Financimi i partive politike është ndër temat më delikate dhe më të nxehta në të gjithë botën demokratike, për një arsye të thjeshtë: ai është nervusi i vërtetë i procesit elektoral. Pavarësisht retorikës zyrtare se vota është e lirë dhe e barabartë, realiteti i demokracive bashkëkohore tregon se deformimi më i thellë i vullnetit të publikut nuk vjen nga manipulimi i votës ditën e zgjedhjeve, por nga pabarabarësia e thellë financiare midis forcave politike dhe nga financimi i errët i fushatave elektorale.
Demokracia shqiptare, në thelbin e saj praktik, është sot në masë të madhe reflektim i demokracisë partiake. Mjafton të shikosh strukturën e brendshme të partive politike — hermetike, vertikale, autokratike si reparte ushtarake — për të kuptuar se vota e qytetarit është shpesh një mirazh që largohet gjithnjë e më shumë nga parimi i sovranitetit popullor. Ky gjymtim demokratik e ka burimin dhe tharmin te fryma totalitare që mbretëron brenda vetë partive politike. Pikërisht prandaj, çështja e demokracisë së brendshme partiake dhe e financimit të partive duhet të ishte boshti kryesor i çdo reforme zgjedhore serioze — veçanërisht kur ata që propozojnë reformën ankohen sistematikisht për manipulim elektoral pas çdo humbje.
Precedentët historikë janë të qartë dhe mësimdhënës. Republika italiane e Partisë së Parë u rrëzua në 1992 pikërisht nga operacioni “Mani Pulite” — një lëvizje juridike (tangentopoli) që u bazua tërësisht te çështja e financimeve të paligjshme të partive politike, majtas dhe djathtas. Sistemi i korruptuar financiar i partive ishte ai që kishte infektuar çdo degë të shtetit italian. Shembuj të ngjashëm gjenden edhe në Gjermani, Francë dhe Spanjë, ku skandalet e financimit të partive kanë prodhuar reforma thelbësore dhe ndjekje penale ndaj liderëve më të lartë politikë.
Analiza e projektligjit të dakordësuar mes PS dhe PD zbulon një logjikë të qartë: ruajtja e status quo-së nën fasadën e reformës. Konkretisht:
• Financimi publik mbetet i përqendruar. Dy partitë kryesore do të vazhdojnë të marrin mbi 70% të fondeve publike nga buxheti i shtetit. Ky mekanizëm institutcionalizon dominimin financiar të duopolit PS-PD dhe e bën hyrjen e forcave të reja politike strukturalisht të vështirë, duke penguar kështu konkurrencën e lirë dhe hapjen e sistemit politik.
• Kanalet e financimit të errët ruhen. P.sh., projektligji ruan parashikimin sipas të cilit “grupime politike jashtë vendit” mund të financojnë partitë shqiptare — një hapësirë me histori të njohur dhe të diskutueshme. Mjafton të kujtojmë financimin prej gjashtë milionë dollarësh të PD-së nga “një grupim politik shqiptaro-amerikan”, siç u shpjegua në kohën e vet nga Sali Berisha. Kjo dritare ligjore, e mbajtur me kujdes të hapur, rrezikon të shërbejë si kanal legalizimi i fondeve me origjinë të paqartë.
• Vetëdeklarimi si mekanizëm kontrolli vazhdon. Sistemi aktual — ku partitë vetëdeklarojnë burimet e financimit dhe ku paratë e zeza shfaqen në librat e KQZ-së si “dhurime” fiktive të anëtarësisë — mbetet i paprekur. Praktika është e njohur gjerësisht: anëtarëve u merren firmat pa dijeni apo vullnet real, dhe kjo shërben si fasadë legalizuese për para me origjinë të paligjshme. Ky mekanizëm funksionon si lavatriçe ligjore brenda vetë strukturave partiake.
• Mungon monitorimi në kohë reale. Projektligji ruan sistemin aktual të kontrollit vetëm ex-post, pra pas përfundimit të fushatave. Ky është një boshllëk thelbësor: kur fushata mbaron dhe votimi ka ndodhur, dëmi demokratik është kryer tashmë. Kudo në demokracitë e konsoliduara perëndimore, mbledhja dhe shpenzimi i fondeve elektorale (fundrising) kryhet nëpërmjet kanaleve ekskluzivisht bankare — pra të gjurmueshme — dhe i nënshtrohet transparencës në kohë reale, si në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani. Të njëjtin standard kërkojnë prej vitesh edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Projektligji i PS dhe PD as ka marrë mundimin të parashikojë p.sh. që çdo dhurim të bëhet eksluzivisht me rruge bankare. Sentenca “gjurmo paranë” duhet të ishte ylli polar i nje reforme të tillë nëse do ishte serioze.
• Sanksionet mungojnë ose janë joproporcionale. Ligji nuk parashikon sanksione të mjaftueshme dhe proporcionale ndaj partive politike që financojnë fushata zgjedhore bazuar në blerje votash dhe fuqi financiare abuzive — duke deformuar rëndë vullnetin e lirë të publikut. Fenomeni i blerjes me para i mandateve në Kuvend, është rreziku kryesor që po erodon sitemin politik dhe atë institucional. Dhe mandate të tilla, nuk duhet të përdoren për të bërë qeverisjen apo të ndryshoje sistemin kushtetues. Partitë politike që i përdorin duhet te sanksionohen ekstremisht në këtë aspekt qoftë me humbje të atyre mandateve e qoftë me reperkusion penal. Në mungesë të frikës penale, asgjë nuk ndryshon sjelljen.
Financimi i fushatave elektorale me para të krimit dhe të korrupsionit është, në thelb, forma më e lartë e korrupsionit politik — sepse ai nuk prodhon vetëm vendim-marrje të korruptuar, por blen drejtpërdrejt pushtetin shtetëror. Ky është korrupsioni që pjell të gjithë korrupsionet e tjera: ai qeveritar, gjyqësor, prokurorial. Për korrupsionin qeveritar është ngritur SPAK-u si strukturë institucionale specializuar. Por për korrupsionin politik të financimit të partive dhe fushatave zgjedhore — i cili është krim primar dhe jo sekondar — ky pazar mes PS dhe PD heshtë me vetëdije dhe me qëllim.
Kjo nuk është çështje paaftësie teknike e Bylykbashit apo e Gjinurit. Është çështje pakti — tani tashmë të hapur — mes Berishës dhe Ramës për të mbajtur të mbyllur sistemin politik brenda duopolit të tyre. Është çështje interesi të konverguar: të dyja partitë e dinë se fitimi i zgjedhjeve është, mbi të gjitha, reflektim i forcës financiare. Në një shoqëri gjithnjë e më mosbesuese ndaj politikës, ku morali politik ka rënë thellë, forca e parasë është ajo që dikton rezultatin elektoral dhe, në fund, qeverisjen e vendit.
Ligji për financimin e partive politike, në kushtet aktuale shqiptare, do duhej të kishte përmasat e një revolucioni të vërtetë shtetformues. Do duhej të ishte një nga temat më të nxehta politike, një nga shtyllat kryesore të debatit parlamentar, dhe një nga fushat ku drejtësia do të kishte kompetenca të zgjeruara monitorimi e mbikëqyrjeje. Ai do duhej të garantonte transparencë të plotë, financim bankar të detyruar, sanksione penale, kontroll të pavarur në kohë reale dhe kufizim të rreptë të ndikimit të fondeve të huaja.
Por duke qenë se Berisha dhe Rama janë të angazhuar me përjashtime nga partia dhe qeveria, me ndryshime statutore për të ruajtur dominimin personal në strukturat e tyre, me asfiksimin e çdo lëvizjeje të re politike jashtë tyre dhe me instalimin e totalitarizmit partiak brenda tyre — edhe kjo stinë e re “dashurie” PS-PD duket se do të dhurojë të njëjtën pjellë të imoralitetit politik. Një ndryshimi i formës pa ndryshuar substancë. Një mënyrë aspak e rafinuar e mashtrimit publik. Ajo që ofrojnë nuk është një reformë, por një simulim i saj. Një ndryshim në dukje, për të garantuar vazhdimësinë në thelb. Një kompromis që nuk synon përmirësimin e sistemit, por mbrojtjen e tij nga çdo kërcënim i vërtetë ndryshimi.






















