Editorial 28 Mars 2026, 08:09 Nga JJ

Vjosa e Kosovës, në zinxhir gabimesh! … dhe një përqasje me gabimet e gafat e institucioneve të Shqipërisë

Ndaje në Whatsapp
Vjosa e Kosovës, në zinxhir gabimesh! … dhe një

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi dekretin e presidentes znj. Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës ishte veçse një konfirmim zyrtar institucional i zinxhirit të gabimeve të Vjosës. Gabime institucionale që për herë të parë ndoshta në Kosovë kanë komprometuar institucionin e Presidentit, por dhe gabime politike që kanë komprometuar politikanen Vjosa Osmani. Zinxhiri i gabimeve të Vjosës ka shpalosur dhe një problem më madhor, atë të mjedisit politik në Kosovë, i cili gjithmonë e më shumë, për fat të keq, po përpiqet t’i përngjajë politikës toksike, antishtet, antizhvillim dhe të korruptuar të Republikës së Shqipërisë. Zinxhiri i gabimeve të Vjosës ka përqasur një varg ngjarjesh skandaloze të ndodhura në vite në politikën shqiptare. Vite më vonë ndonjë historian që ka pasion dhe politikën do të duhet të analizojë dhe qëmtojë me kujdes këtë ngjarje, jo vetëm për dokumentim gjakftohtë historik, por mbi të gjitha për të analizuar të gjitha problemet që janë sintezë e paaftësisë që po shpërfaqin politikanët shqiptarë pas 90s.

Gabimi institucional i presidentes, i konfirmuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ishte shpërndarja e Kuvendit në një veprim të nxituar, dukshëm emocional, por qartësisht dhe të lojës së prapaskenës. Vendimet (disa të tilla) e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë shteruese në argumentimin juridik të një vargu veprimesh të Kuvendit dhe të Presidentit.

Gjykata ka argumentuar që prania e deputetëve në seancat për zgjedhjen e presidentit është detyrim kushtetues, kuptohet me objektivin final të sigurimit të funksionimit të institucioneve, pra të shtetit. Në këtë kontekst, çdo deputet që zgjedh opsionin e “mospjesëmarrjes” praktikisht e pozicionon veten kundër shtetkonsolidimit dhe kundër institucioneve, si dhe zhvlerëson votën e zgjedhësve, përfaqësues i të cilëve është në Kuvend. Deputeti votohet për përfaqësim dhe ushtrimin e funksionit si përfaqësues me pjesëmarrje dhe me votë, nuk votohet për mospërfaqësim. Por mospjesëmarrja është gabim i deputetit. Ajo nuk i jep të drejtën presidentit të veprojë si “punëdhënës i rëndomtë dhe të shkarkojë nga puna deputetët që nuk shkojnë në punë” me akt shpërndarjeje të Kuvendit. Është tjetër çështje që për të mundësuar zbatimin e interpretimit të Gjykatës, institucionet në Kosovë do të duhet të mendojnë për të zhvilluar mekanizmat përkatës. Ndërsa deputetët dhe forcat politike që preferojnë bllokimin e Kuvendit me mospjesëmarrje duhet të mësojnë nga gabimet bojkotuese të opozitës në Shqipëri, e cila dhe për këtë shkak ka pësuar rrudhje të konsiderueshme.

Gjykata menjëherë pas referimit të çështjes nga Kuvendi e pranoi atë dhe bllokoi zbatimin. Veprimet si nga Kuvendi dhe Gjykata ishin të shpejta në kohë, siç e kërkon serioziteti i situatës dhe institucioneve më të larta të një shteti. Por Vjosa vijoi gabimin duke mos pritur në heshtje vendimin e gjykatës. Ajo nxitoi të organizonte konsultimin për datën e zgjedhjeve, duke krijuar mjedis që cenon respektimin e vendimit të gjykatave dhe duke e rreshtuar veten si palë politike e asaj pale që me çdo kusht do të përmbysë rezultatin zgjedhor nga skutat dhe tavolinat. Këtu Vjosa humbi integritetin institucional dhe paanshmërinë politike që duhet të ketë presidenti.

Gjykata, pa u vonuar, vendosi unanimisht kundër dekretit të presidentit duke saktësuar edhe në detaj e afate procesin që çon në zgjedhje të Presidentit apo në zgjedhje të parakohshme, për rastin konkret dhe për të ardhmen. Këto vendime për mënyrën si u morën në kohë dhe në interpretim duket që janë arsyetuar me frymë të shëndoshë profesionale dhe në funksion të konsolidimit e funksionimit të institucioneve të shtetit. Një kontrast shumë i fortë me Gjykatën Kushtetuese anemike dhe kurrizthyer të Shqipërisë që deri më sot është shquar për gjysmavendimesh, vendime pa vendime dhe me arsyetime në teknikalitete jo në frymë, thelb e parim kushtetues.

Vjosa bëri gabimin e radhës me arsyetimin qesharak se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk gjen shkelje në dekretin e saj. Në fakt vendimi i Gjykatës Kushtetuese, me një formulim profesional dhe elegant, ka bërë nul dekretin e saj, për shkak të pabazueshmërisë. Pra presidenti, që duhet të jetë garant i kushtetutës, gaboi në zbatimin e saj në favor të vetvetes. Këtu Vjosa i ngjau Holta Zaçes, ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë që interpretoi gabim kushtetutën për mandatin e saj.

Edhe më herët konstitucionalistë të Kosovës kishin arsyetuar publikisht kundër dekretit. Vjosa u mbrojt me argumentin se kishte konsultuar mjaft vetë për këtë dekret. Këtu Vjosa na ngjan me Bajram Begajn. Ajo dekretoi shpërbërjen e Kuvendit dhe filloi procesin e dekretimit të datës së zgjedhjes, në kundërshtim me kushtetutën. Ai dekretoi datën e zgjedhjeve vendore në kundërshtim me kushtetutën, duke u justifikuar se u konsultua me të tjerë. Dy presidentët kundërshtarë të kushtetutës tani kanë detyrimin të tregojnë cilët janë ata “profesionistë” që i konsultuan në këtë veprim.

Që Vjosa gaboi me dekretin e shpërndarjes së Kuvendit, u kuptua edhe pa filluar procesi në Gjykatë Kushtetuese dhe me shumë mundësi e ka kuptuar edhe vetë znj. Osmani, sepse i gjithë vargu i veprimeve dhe polemikave publike që ndërmori (së bashku me stafin e këshilltarëve) ishte situatë tipike e udhëhequr nga emocioni dhe jo nga arsyetimi gjakftohtë, nga dalja jashtë kontrollit e gjërave apo e planit të kurdisur dhe jo nga vlerësimet në shërbim të shtetit. Gjuha konfrontuese e ashpër dhe politike, nxjerrja në shesh e diskutimeve në modelin e “gruas që ankohet nëpër lagje për vjehrrën e saj”, apo të detajeve të qarkullimeve të mesazheve, dhe veçanërisht përdorimi i një medie në Shqipëri për të çuar mesazhe në Kosovë, ishin sjellje dhe trajektore tipike e një personi që kërkon të mbulojë gabimin dhe në nxitim bie në gabime të tjera edhe më zbuluese.

Për ta thënë troç, Vjosa gaboi në shpërndarjen e parlamentit me një akt të paprecedent kundër institucionit përfaqësues të votuesit dhe më të lartit në hierarkinë institucionale në një republikë parlamentare. Edhe një president i zgjedhur nga populli nuk i mbivendoset parlamentit në republikën parlamentare.

Vjosa gaboi dyfish që nisi një krizë të re institucionale në një shtet që ka nevojë të konsolidojë institucionet dhe që kishte kaluar një periudhë ngërçesh e zgjedhjesh të shpeshta.

Vjosa me gabimet e veta cenoi seriozitetin e institucionit të presidentit, rolin garantues dhe ekuilibrues e mbi të gjitha rrëzoi parimin e presidentit të baraslarguar e që qëndron mbi palët. Këtë herë ajo veproi si palë, së pari si palë e vetvetes dhe së dyti si palë e asaj pjese të politikës së Kosovës që po i kundërvihet pa logjikë e pa parim qeverisjes së vendit përmes ngërçeve institucionale. Të tillë akt mendjelehtë kundër kushtetutës në Shqipëri na e ka servirur Ilir Meta, kur anuloi datën e zgjedhjeve vendore, por kuptohet akt me pasoja me përmasa më të vogla sesa shpërndarja e parlamentit.

Përse gaboi Vjosa? Në këtë moment, askush nuk e thotë dot me siguri ku e ka rrënjën gabimi kaq i madh. Dikur edhe këto do të dalin në shesh. Analiza e ftohtë e të gjithë rrjedhës së veprimeve të znj. Osmani tregon se dikush e la në baltë Vjosën, pasi e tërhoqi në rrugën e gabimeve kundër shtetit. Duket qartazi që është shfrytëzuar shumë mirë ambicja e fortë e znj. Osmani për një mandat të dytë presidencial, miklimi me dimensionin e një “politikani” që mund të takojë të gjitha krahët politikë dhe me peshë ndërkombëtare, pra dhe që do e marrë mbështetjen, dhe braktisja në ditën e parë të procesit të zgjedhjes së presidentit.

Në Shqipëri ne nuk habitemi shumë nga skema të tilla të lënies në baltë. E kemi parë më herët në zgjedhjen e Bamir Topit president dhe përpjekjeve të tij jo të moralshme për marrëveshje dhe mirëkuptim me Edi Ramën që të siguronte votat në parlament. Janë të pashlyeshme pamjet e buzëqeshjeve dypalëshe tek dilnin nga restorantet. Por Rama nuk ia dha kurrë votat Bamir Topit. Seancat e votimit dështonin njëra pas tjetrës dhe z. Topi u përfshi në emocione të forta akuzuese kundër partisë së vet, pa kuptuar qartësisht që dështimi i vinte nga drekuesi-premtues votash, Rama. Në fund, Bamir Topi u arrit të zgjidhej president jo prej premtuesit Rama, por nga marrëveshja nën tavolinë që u detyrua atëherë të bënte Berisha me Nanon për të marrë 5 vota majtas, marrëveshje me kosto të lartë për Partinë Demokratike. Albin Kurti me sa duket nuk është i gatshëm të krijojë kosto në dëm të Vetëvendosjes dhe është plotësisht në të drejtë që nuk bën veprime dobësuese për këtë forcë politike.

Nuk mund të parashikojmë se çfarë do të prodhojnë zgjedhjet e radhës në Kosovë. Dëmi institucional dhe goditja ndaj stabilitetit u dha, dhe nuk ishte e vogël. Kjo situatë është vërtetë një grusht i pabesë ndaj shtetit. Nga ky moment Vjosa nuk është më presidente, por është një politikane, gjë që po e vërteton më tej me fushatën e shtrëngimit të duarve të individëve përpara kamerave në rrugë e në qendra tregtare. Vjosa ka hyrë tani në fushatë elektorale, por jo me faqe të bardhë.

Video

Parlamenti i Izraelit, Knesset, ka miratuar një ligj që parashikon dënimin me vdekje për palestinezët e dënuar për vrasjen e izraelitëve. Pamjet e publikuara nga brenda parlamentit tregojnë Ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir dhe anëtarë të partisë së tij Otzma Yehudit duke festuar miratimin e këtij ligji. Projektligji në fjalë ka qenë një kërkesë e hershme e kësaj force politike, por ka ngjallur reagime dhe kritika të shumta si në Izrael, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Qielli bëhet i kuq i ndezur në Australinë Perëndimore përpara ciklonit tropikal Narelle.

Edhe më ha edhe më djeg…

Banorët e Rrjollit dhe të Durrësit protestë para Parlamentit teksa pritet të nisë seanca parlamentare.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme