Ju kam parë këto pesë ditët e fundit që nxitoni sa nëpër komisariate, sa nëpër spitale, duke marrë poza e duke postuar video, sikur po merakoseni shumë për adoleshentët protestues që përfundojnë të arrestuar apo të plagosur.
Nga ana njerëzore, bëni mirë t’i ndihmoni, se nuk është se ia keni kaluar keq këto vite nën “regjimin” e Edi Ramës. Por nga ana politike, po ju kujtoj se nuk ju ka votuar njeri për avokatë apo doktorë. Ju kanë votuar dhe mbështetur për të qenë alternativë politike.
Dhe për sa kohë Tirana ka 48 orë që digjet, ndërsa ju vazhdoni të rendni nga një komisariat në tjetrin e nga një spital në tjetrin, alternativa politike ka dështuar. Ju keni dështuar.
Dhe dikush duhet t’jua thotë më në fund: këta njerëz nuk ju duan as ju, njësoj siç nuk duan Edi Ramën. Mos e ngatërroni revoltën e tyre kundër qeverisë me mbështetje për ju. Sepse po të kishin parë tek ju alternativën që kërkojnë, nuk do të kishin nevojë të dilnin vetë në rrugë për të kërkuar ndryshimin.
Ndaj mos ua gërricni më shumë nervat njerëzve të lodhur e të sakatuar, që duan ndryshimin. Mos ua shisni si opozitë atë që mund ta bëjë çdo avokat, çdo mjek apo çdo qytetar me pak ndërgjegje njerëzore.
Ju kanë votuar për të qenë alternativë ndaj pushtetit, jo për të bërë kronikën e pasojave të tij.






















