Distributorët, të përqendruar në segmentin FMCG (mallrat e konsumit që lëvizin shpejt nga raftet, përgjithësisht nga importi) kanë pasur ecuri me gjatësi të ndryshme vale në vitin 2025.
Disa kanë shënuar rënie të të ardhurave, të tjerë kanë vijuar rritjen, një pjesë e së cilës vjen prej shtrenjtimit të produkteve të duhanit nga zbatimi i kalendarit të akcizës.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, ritmet e konsumit të brendshëm kanë filluar të ngadalësohen si ndikim direkt i rrudhjes demografike. Sipas INSTAT-it, konsumi vjetor i popullatës u rrit me 3.4% në vitin 2025, nga 4.2% një vit më parë. Në kahun tjetër, kompanitë e shpërndarjes po përballen edhe me ndryshime strukturore në tregun vendas.
Shqetësimi kryesor i operatorëve mbeten zhvillimet demografike. Emigracioni, veçanërisht i të rinjve, dhe plakja graduale e popullsisë po ndikojnë si në mënyrën se si konsumatorët blejnë, ashtu edhe në madhësinë dhe strukturën e tregut.
Kompanitë raportojnë vështirësi në rritje për të gjetur dhe për të mbajtur fuqi punëtore, sidomos në pozicionet e shitjes, magazinimit, transportit dhe logjistikës.
Operatorët më të mëdhenj raportojnë se për produktet e segmentit të lartë, shitjet janë më të qëndrueshme, ndërsa për ato me çmime të lira janë në rënie, të ndikuara nga emigrimi i popullsisë. Në raportet vjetore theksohet ulje e kërkesës për disa kategori produktesh.
Një faktor i rëndësishëm mbështetës për importuesit ka qenë dobësimi i euros ndaj lekut, i cili ka vijuar për disa vite me radhë. Kursi më i favorshëm i këmbimit ka ndihmuar kompanitë të amortizojnë një pjesë të rritjes së çmimeve të importit dhe të kufizojnë presionin që kostot më të larta do të ushtronin mbi çmimet finale.
Nga ana tjetër, kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik gjithnjë e më të rëndësishëm ka kompensuar pjesërisht dobësimin e konsumit të lidhur me emigracionin. Efekti është veçanërisht i dukshëm në muajt e verës dhe në zonat bregdetare, ku rrjetet tregtare dhe distributorët raportojnë rritje të ndjeshme të shitjeve.
Kërkesa sezonale nga turistët ka sjellë rritje të qarkullimit sidomos për pijet, produktet ushqimore dhe artikujt e konsumit të shpejtë. Sipas operatorëve, në zonat turistike bregdetare, pijet alkoolike mbeten ndër kategoritë me rritjen më të fortë të shitjeve, duke reflektuar ndryshimin e strukturës së konsumit gjatë sezonit dhe peshën gjithnjë e më të madhe që turizmi po merr në tregun e FMCG-së.
Operatorët vlerësojnë se në rast se nuk do të kishte qenë turizmi, rënia e shitjeve do të kishte qenë shumë më dramatike.
“Grupi Agna”, me dy kompanitë “Agna” dhe “Alfa”, ka ruajtur pozicionin si distributori më i madh në vend, si grup. “Agna” kishte qarkullim vjetor prej 21.4 miliardë lekësh, me rritje vjetore 25%, sipas të dhënave paraprake nga kompania (bilanci zyrtar nuk është publikuar ende).
“Alfa” raportoi 7.3 miliardë lekë të ardhura, me rënie 45%, pasi nga viti 2025, një pjesë e konsiderueshme e funksioneve të logjistikës dhe shitjes që kryheshin nga “Alfa” sh.a., kaluan tek “Agna” sh.a.
“Grupi Agna”, përfshirë dy kompanitë së bashku, qarkulloi rreth 28.7 miliardë lekë në vitin 2025, me tkurrje prej 5.6% në raport me vitin 2024. Burime nga kompania thanë se qarkullimi real i grupit është në të njëjtat nivele me vitin e mëparshëm, por rënia ka ardhur nga ulja e dublimit të xhiros ndërmjet “Alfa” dhe “Agna”.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania e parë, “Anonime Kakavi” (tani “Agna” sh.a.), u krijua në vitin 1991, si importuese dhe distributore ekskluzive e kompanive të mirënjohura në kategorinë ushqimore si “Nestle”, “Misko”, “Chipita”, “Lay’s”, “Heinz”, “Marbo” e të tjerë; në kategorinë e detergjentëve dhe kujdesit personal si “Bohemija”, “Mega”, si dhe në kategorinë e cigareve të kompanisë “Karelia”.
“Agna” sh.a. operon gjithashtu edhe në fushën e investimeve të energjisë, të hotelerisë, ndërtimit dhe pronave të patundshme në Shqipëri dhe jashtë saj. Kjo kompani ka krijuar një portofol të rëndësishëm investimesh ndër vite.
“Alfa” sh.a. u krijua në vitin 1992 si shpërndarëse zyrtare e “Amstel” dhe “PepsiCo”. Në vitin 1997, “Alfa” sh.a. ndërtoi një fabrikë moderne në fshatin Glinë, e cila bëri të mundur zgjerimin e aktivitetit me prodhimin e ujit “Glina” dhe shumë pijeve të tjera. “Alfa” sh.a. mori statusin e ambalazhuesit dhe shpërndarësit zyrtar të “Pepsi”, “Ivi”, “7up” dhe “Lipton” për territorin shqiptar në vitin 1999, dhe për Kosovën, në vitin 2019.
Të dyja shoqëritë kishin së bashku gati 1100 të punësuar në vitin 2025, me rritje 4.5% me bazë vjetore.
“Inter Distribution Service” (IDS) ka vijuar rritjen e fortë për të katërtin vit radhazi duke arritur qarkullimin vjetor prej 25.8 miliardë lekësh (+13.8%). Për të katërtin vit radhazi, IDS ka raportuar qarkullim vjetor më të lartë sesa “Agna”, duke u renditur si më i madhi (si një kompani e vetme) në këtë segment.
“Philip Morris Albania” është rritur me 13.2%, në rreth 19.7 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit, rritja e të ardhurave është ndikuar kryesisht nga një sërë masash të ndërmarra nga shoqëria për të siguruar disponueshmërinë e produkteve të saj në treg, por edhe duke shtuar aktivitetet e komunikimit me konsumatorët e rritur. Krahasuar me vitin e kaluar, shpenzimet operative të shoqërisë u rritën gjithashtu me 10%. Shoqëria kishte 48 të punësuar në vitin 2025.
“Tobacco Holding Group” kishte të ardhura rreth 9.3 miliardë lekë, me rënie prej 11.3% me bazë vjetore. Sipas të dhënave në raportin vjetor, kompania është shpërndarëse e BAT, “Peja”, “Pernot Ricard”, “Prince Caffe” etj.
“Marketing & Distribution”, në vitin 2025, deklaroi të hyra prej 8.5 miliardë lekësh, me rënie prej 4.4% me bazë vjetore. Sipas faqes zyrtare të internetit. “M&D” është një nga kompanitë më të mëdha të distribucionit në Shqipëri, duke përfaqësuar një sërë markash ndërkombëtare.
Kompania kryen shërbimet e logjistikës, distribucionit, magazinimit, përpunim produkti dhe arkivim.
“Eurolab Internacional Grup” sh.p.k. është një tjetër distributor i madh, që nuk ka dorëzuar pasqyra financiare. Sipas renditjes së Tatimeve, të ardhurat e përafërta të shoqërisë në vitin 2025 ishin rreth 7-8 miliardë lekë. Sipas faqes së internetit, kompania ka mbi 30 vite eksperiencë në shitje, distribucion, import/eksport dhe shërbime të tjera (marketing, zhvillim tregu dhe produktesh, veprime operacionale etj.) dhe ka siguruar rritje vjetore dyshifrore në dekadën e fundit.
“British American Tobacco” (BAT) raportoi të ardhura prej 6.3 miliardë lekësh, me rritje të lehtë prej 2.4%. Sipas raportit vjetor, rritja e të ardhurave gjatë vitit 2025 i atribuohet rritjes së akcizës dhe hedhjes në treg të produkteve të tjera pa nikotinë. Bazuar në kalendarin vjetor të akcizës, kjo e fundit u rrit nga 7,250 lekë në vitin 2024 në 7,500 lekë në vitin 2025.
Kompania ka pohuar më herët se industria e duhanit është shumë e prekshme nga ndryshimet legjislative të kryera në një periudhë të caktuar, të cilat mund të çojnë në rritje të kostove, rënie të konsumit të duhanit apo nxjerrje nga tregu të produkteve specifike. Numri i të punësuarve ishte 16.
“Albanian Distribution & Development” raportoi rënie të të ardhurave me 11.6%, në 5.8 miliardë lekë. “Kompania tregton një gamë të gjerë produktesh që përfshijnë pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, artikuj të pastrimit dhe kujdesit personal etj. Nga viti në vit, shoqëria ka rritur gamën e produkteve duke e zgjeruar portofolin e saj të produkteve”, thuhet në raportin vjetor. Shoqëria kishte 212 të punësuar në vitin 2025.
“Elka-SA” raportoi të ardhura prej 5.8 miliardë lekësh, me tkurrje të lehtë 0.6% në raport me vitin 2024. Krahas tregtimit të produkteve të ndryshme, “Elka-SA” është eksportues dhe e angazhuar edhe në sektorin e prodhimit të patatinave, çokokremit, kruasantëve.
Eksportet në vitin 2025 ishin 1.1 miliardë lekë, duke u rritur me 4.8%, teksa sollën 19% të të ardhurave nga 17% vitin e mëparshëm.
Në aktivitetin e eksporteve, “Elka-SA” është ndikuar negativisht nga rënia e kursit të këmbimit të euros. “Stabiliteti i kursit të këmbimit do të luante një rol të rëndësishëm në aktivitetin tonë si eksportues, pasi luhatjet e shumta në ulje që ka pësuar kursi i këmbimit kanë sjellë pasiguri te çmimet e shitjes duke ndikuar edhe tregun ndërkombëtar, në të cilin ne jemi të pranishëm prej shumë vitesh”, thuhet në raportin vjetor.
Kompania synon që në vitin 2026 të zgjerojë aktivitetin e saj me produktet “snack” në tregje të reja si në Amerikë, Kanada, Lindje të Mesme etj. Në vitin 2025 përfunduan punimet për rritjen e kapacitetit të prodhimit të fabrikës, duke synuar që gjatë 2026-s do të mundësojë shtim të prodhimit, si dhe të pajisjeve e makinerive të prodhimit, sipas raportit vjetor. Kompania raporton 475 të punësuar në vitin 2025.
“Nelt” është një hyrje e re në segmentin e distributorëve, në listën e “Monitor 200”, pas rritjes së fortë të të ardhurave me 118%, në 4.1 miliardë lekë. Sipas raportit vjetor, aktiviteti kryesor i shoqërisë është tregtimi me shumicë dhe pakicë i artikujve ushqimorë dhe industrialë.
“Nelt” është pjesë e “Nelt Group”, një grup rajonal i fokusuar te distribucioni dhe logjistika, që operon në Shqipëri që nga viti 2018, pas blerjes së “All Balkans Corporation”.
Në tregun shqiptar, kompania shpërndan produkte të markave ndërkombëtare dhe rajonale si “Mondelez, “Beiersdorf”, “JTI”, “Arcor”, “Dr. Oetker”, “Manner”, “Mutti”, “Sebamed”, “Halls”, “Philadelphia” dhe të tjera, sipas deklarimeve në bilance.
Sipas një njoftimi zyrtar, “Grupi Nelt” ka forcuar portofolin dhe pozicionin e tij në treg përmes bashkëpunimit rajonal me partnerët dhe përfshirjes së principalëve të rinj: “Chips Way” dhe “Waltz” në Bosnjë dhe Hercegovinë, JTI dhe “Alka Group” (“Elephant Brand”) në Shqipëri, “Bambi” në Maqedoninë e Veriut, “Mondelez”, “Nestlé”, “Colgate”, “Beiersdorf” dhe “Perfetti” në Afrikë, si dhe “Revlon”, “Vitamin Horgoš” dhe “Jaffa” në Serbi, ndërsa me kompaninë “Coca-Cola HBC” në tregun serb është zgjeruar bashkëpunimi logjistik. Kompania në Shqipëri ka 191 punonjës.
“Teuta Durrës”, që operon në dy sektorë kryesorë, paketimin dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore, ka rezultuar me të ardhura prej 3.85 miliardë lekësh në vitin 2025, me zgjerim 3.9% me bazë vjetore.
Sipas raportit vjetor, aktiviteti i kompanisë është zgjeruar dhe rritur nga viti në vit përmes zgjerimit të gamës së produkteve të hedhura në treg, zgjerimit të njësive të shpërndarjes në të gjithë vendin dhe kjo është evidentuar në termat financiarë me qarkullim të shtuar me rreth 4%. Gjatë këtij viti, produktet me logo “Teuta” kanë gjetur shpërndarje edhe në tregun e Kosovës. Kompania “Teuta Durrës” parashikon të vijojë me rritje të vazhdueshme në treg.
“Inter Trade & Distribution” deklaroi qarkullim vjetor prej 3.2 miliardë lekësh, me rritje 5.1% në raport me vitin 2024.
Sipas raportit vjetor, përmirësimi i treguesve ka ardhur kryesisht si rrjedhim i faktorëve të brendshëm, që kanë të bëjnë me përmirësimin e strukturës së shitjeve, organizimit më të mirë të punës, investimeve në teknologji dhe në kualifikimin e burimeve njerëzore.
Një faktor i dytë jo më pak i rëndësishëm janë dhe investimet e mëdha të kryera me fondet e furnitorëve, por edhe ato të kompanisë në marketing dhe promocion, duke bërë të mundur jo vetëm ndërtimin e markave të reja, por edhe konsolidimin e atyre në aktivitet.
Së fundmi, ndikim ka sjellë edhe niveli i ulët i kursit të këmbimit, si dhe normës së interesit. Kujdes i veçantë dhe investime të rëndësishme i janë kushtuar gjatë vitit 2025 ruajtjes së cilësisë së produkteve, nëpërmjet përmirësimit të kushteve të ruajtjes, magazinimit dhe të transportit të tyre”.
“Interlogistic” kishte të ardhura 2.6 miliardë lekë, me tkurrje prej 7.5% me bazë vjetore. “Shoqëria ka ruajtur pozicion të qëndrueshëm financiar dhe operativ, pavarësisht sfidave të mjedisit ekonomik kombëtar dhe ndërkombëtar.
Performanca financiare reflekton aftësinë e shoqërisë për të mbajtur efikasitetin operativ, për të menaxhuar me kujdes kostot dhe për të gjeneruar të ardhura të vazhdueshme nga aktiviteti i saj kryesor”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“Interbrands” raportoi të ardhura 2.5 miliardë lekë, me tkurrje prej 8.7% me bazë vjetore. Sipas raportit vjetor, shoqëria ka ruajtur një aktivitet të qëndrueshëm ekonomik, pavarësisht një mjedisi tregtar më sfidues dhe ndryshimeve në strukturën e tregut. “Të ardhurat totale gjatë vitit 2025 arritën në 91.31% të nivelit të vitit paraardhës, duke reflektuar rënie prej 8.69%.
Kjo rënie lidhet kryesisht me ndryshimet në strukturën e portofolit të produkteve, uljen e kërkesës për disa kategori produktesh, si dhe përshtatjen e strategjisë së shitjeve në përputhje me zhvillimet e tregut”, thuhet në raportin vjetor.
“Ferra”, e fokusuar në tregtimin e mallrave ushqimore, kryesisht të sheqerit, orizit, vajit, etj., dhe në aktivitete të tjera dytësore, shënoi rënie të të ardhurave me 39%, në 2.1 miliardë lekë, duke dalë nga lista e 200 më të mëdhave të “Monitor” në vitin 2025.
Sipas raportit të aktivitetit, rënia e të ardhurave nga aktiviteti i përpunimit është shkaktuar nga lëkundjet e shpeshta dhe të mëdha të çmimit të sheqerit në bursat ndërkombëtare, i cili nuk arriti të sinkronizohej me çmimet e tregut brenda vendit, duke shkaktuar humbje në këtë vit financiar.
“Megjithëse aktiviteti kryesor ka shënuar rënie gjatë vitit 2025, është mbajtur i njëjti numër punonjësish dhe shpërblimi i tyre është rritur. Gjithashtu, janë zgjeruar më tej hapësirat dhe mundësitë për kualifikim të vazhdueshëm, shpërblim të arsyeshëm dhe kontribut për realizimin personal të tyre.
Për zhvillimet e ardhshme, shoqëria ka planifikuar të ecë nëpërmjet investimeve të reja drejt rritjes dhe përmirësimit të kapaciteteve, përmirësimit të menaxhimit në të gjithë sektorët dhe zgjerimit të tregtisë në tregun rajonal”, thuhet në raportin vjetor.
“Primall”, që ka aktivitet kryesisht në tregtimin e cigareve, “Winston” dhe “Camel”, raportoi rënie të fortë të të ardhurave me 63%, në 1.5 miliardë lekë, duke dalë nga lista e “Monitor 200” për herë të parë pas shumë vitesh.
200 VIP-at e 2025-s; Ekonomia që nuk po krijon as vlerë, as punësim






















