Bota 17 Janar 2025, 09:55 Nga VNA

Çfarë përmban marrëveshja 100-vjeçare mes Ukrainës dhe Britanisë?

Ndaje në Whatsapp
Çfarë përmban marrëveshja 100-vjeçare mes

Britania dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje 100-vjeçare të enjten, ku Britania zotohet t'i sigurojë Ukrainës 3.6 miliardë dollarë ndihma ushtarake këtë vit. Marrëveshja u njoftua gjatë një konference të përbashkët për shtypin në pallatin presidencial në Kiev, ku Kryeministri britanik Keir Starmer iu bashkua Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Zoti Starmer është në udhëtimin e tij të parë në Ukrainë që nga marrja e detyrës.

Kryeministri Starmer e quajti marrëveshjen historike dhe tha se partneriteti i ri "pasqyron lidhjet e forta mes dy vendeve tona". Partneriteti do të përfshijë bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit, shkencës dhe teknologjisë.

Lidhur me ndihmën ushtarake për luftën e saj kundër Rusisë, Kryeministri Starmer tha se Britania ka në plan t'i japë Ukrainës një hua prej mbi 2.6 miliardë dollarësh. Ai tha se kredia "do të paguhet jo nga Ukraina, por nga interesi i fondeve të ngrira ruse". Zoti Starmer njoftoi gjithashtu se Britania po i siguronte Ukrainës 150 mjete artilerie dhe një sistem të ri të lëvizshëm të mbrojtjes ajrore.

Në komentet e tij, Kryeministri Starmer vlerësoi aleatët e Ukrainës, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, për kontributin në suksesin që Ukraina ka patur përballë "agresionit nga Rusia". Ai tha se donte t’i vlerësonte publikisht Shtetet e Bashkuara për "punën që SHBA ka bërë këtu, mbështetjen që kanë dhënë, sepse ka qenë një komponent jetik i asaj që ka qenë një arritje mjaft e pabesueshme nga Ukraina".

Komentet vijnë vetëm disa ditë përpara se të marrë detyrën Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që ka kritikuar mbështetjen amerikane për Ukrainën, dhe një ditë pasi i përzgjedhuri nga presidenti i ri për të qenë sekretari amerikan i Shtetit, senatori republikan Marco Rubio, i tha një komisioni të Senatit se lufta duhet të përfundojë.

Duke folur në seancën për konfirmimin e tij, senatori Rubio e quajti konfliktin një "luftë rrënimi" dhe një "ngërç" që duhet t'i jepet fund. Ai tha se hapi i parë duhet të jetë një armëpushim që ndalon luftimet tokësore, të cilat për mbi një vit kanë ndodhur kryesisht në Ukrainën lindore. Rubio e quajti shkatërrimin në Ukrainë "të jashtëzakonshëm", duke thënë se "do të duhet një brez për t'u rindërtuar".

"E vërteta e çështjes është se në këtë konflikt, nuk ka asnjë mënyrë që Rusia ta marrë të gjithë Ukrainën", tha zoti Rubio. “Është gjithashtu jo-realiste të besohet se në njëfarë mënyre, një vend me përmasat e Ukrainës... gjithashtu do t'i shtyjë këta njerëz deri atje ku gjendeshin përpara sulmit”.

Por edhe ndërsa ai argumentoi për një zgjidhje të negociuar për t'i dhënë fund luftimeve që filluan me pushtimin e Rusisë në shkurt 2022, senatori Rubio tha se nuk ka gjasa që të ketë shumë ndryshime në vijat aktuale të betejës. Rusia aktualisht mban rreth një të pestën e masës tokësore ukrainase të njohur ndërkombëtarisht.

Demokratët, dhe disa republikanë në komision, vazhduan të shprehin mbështetjen e tyre për më shumë ndihma ushtarake për Ukrainën, duke thënë se ishte e rëndësishme t'i jepej Kievit ndikim bisedimet e ardhshme për paqe me Moskën.

Por zoti Rubio tha se një nga problemet kryesore të Ukrainës nuk ishte mungesa e municioneve apo parave, por paaftësia e saj për të stërvitur dhe rekrutuar forca mjaftueshëm. Në konferencën për shtyp të së enjtes në Kiev, Presidenti Zelenskyy refuzoi të spekulojë se si do të dukej mbështetja amerikane për Ukrainën me administratën e re Trump.

“Është shumë herët për të folur për detajet, sepse ende nuk kemi patur një bisedë të detajuar me administratën e re amerikane për garancitë e sigurisë”, tha ai.

Presidenti i zgjedhur Trump ka shprehur skepticizëm për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Kievin dhe është zotuar vazhdimisht se do t'i jepte fund luftës kur të marrë presidencën të hënën.

Ditët e fundit, ndihmësit e tij kanë thënë se afati i ri kohor për t’i dhënë fund luftës janë 100 ditët e para të administratës së tij, që do të ishte deri në fund të prillit./ VOA

Video

Rritet ndjeshëm fluksi i hyrjeve në pikën kufitare të Kapshticës, ku emigrantët nga Greqia po kthehen për të festuar Pashkët pranë familjarëve. Nga qytetarët raportohen pritje deri në 1 orë e 30 minuta. Fluksi pritet të rritet edhe në ditët në vijim.

Melania Trump mohon çdo lidhje me Epstein…

Këto janë pamjet nga një ngjarja e rëndë që ndodhi në Vlorë, ku një vajzë 4-vjeçare u kafshuar nga një qen pitbull. Sipas pamjeve, qeni e ka kafshuar në kokë dhe e ka tërhequr zvarrë, derisa të pranishmit ndërhynë dhe arritën ta shpëtojnë fëmijën. Vogëlushja është jashtë rrezikut për jetën dhe ka dalë nga spitali.

Një punonjës i pakënaqur me rrogën dyshohet se i ka vënë flakën një magazine të madhe në Ontario, California. Zjarri u përhap me shpejtësi duke shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa mbi 170 zjarrfikës punuan për orë të tëra për ta vënë nën kontroll. I riu është arrestuar dhe, sipas hetimeve, kishte shprehur hapur pakënaqësinë për pagën, madje duke publikuar edhe video nga momenti i zjarrvënies.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme