Vijojnë kërkimet për gjetjen e minatorit Ilir Kalaveri, i cili u bllokua nën një masiv kromi gjatë punës në minierën e Tërnovës së Madhe, në Bulqizë.
40-vjeçari, me detyrë brigadier në minierën e administruar nga kompania “Eternal Security”, dyshohet se ra në një furnelë gjatë procesit të punës, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë pa ndërprerje për ta lokalizuar. Operacioni po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të rrezikut për shembje të tjera në galeri.
Pas ngjarjes ka reaguar edhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila e cilësoi rastin një tjetër alarm për mungesën e sigurisë në punë. Sipas saj, aksidentet në sektorin minerar dhe në industri të tjera po vazhdojnë të marrin jetë dhe të lënë të plagosur punëtorë, duke kërkuar masa urgjente për rritjen e standardeve të sigurisë.






















