Kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve është një çështje e sundimit të ligjit dhe jo e debatit politik, gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Braho bëri të ditur se në periudhën 2021–2026, SPAK ka administruar 233 materiale që lidhen me krimet zgjedhore, nga të cilat 157 janë regjistruar si procedime penale. Vetëm për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë administruar 194 sinjalizime, kallëzime dhe referime, ndërsa janë regjistruar 46 procedime penale.
Sipas tij, strategjia e zbatuar nga SPAK për zgjedhjet e vitit 2025 shënoi kalimin nga një model reagues në një qasje më proaktive, të bazuar në analizën e riskut dhe koordinimin me Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në.
Braho theksoi se 23.9% e procedimeve penale të vitit 2025 janë nisur me iniciativë të vetë SPAK, ndërsa pjesa tjetër ka ardhur nga referimet e Policisë së Shtetit dhe kallëzimet e qytetarëve apo institucioneve të tjera.
Nga 46 procedimet penale të regjistruara për zgjedhjet e vitit 2025, pesë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, nëntë janë kërkuar të pushohen, pesë janë transferuar për kompetencë në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, një është pezulluar, katër janë bashkuar me procedime të tjera, ndërsa 22 vijojnë të jenë në hetim.
Kreu i SPAK bëri të ditur gjithashtu se gjatë vitit 2026 janë dënuar shtatë persona për vepra penale që lidhen me zgjedhjet, duke theksuar se hetimi dhe ndëshkimi i krimeve zgjedhore vijon edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor.





















