
Me autorizim të Ilir Metës, Tedi Blushi ka bërë publike një letër të ish-presidentit, dërguar nga burgu avokatit të tij, Kujtim Cakrani, ku njoftohet ndërprerja e bashkëpunimit mes tyre.
Në letrën e tij, Meta sqaron se vendimi vjen për shkak të nevojës për një avokat që të jetë i përkushtuar plotësisht ndaj çështjes së tij, duke qenë në dispozicion të vazhdueshëm, si në themel të procesit ashtu edhe për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).
Ai falënderon avokatin për bashkëpunimin e deritanishëm dhe kërkon mirëkuptim për këtë ndryshim, duke i kërkuar që dosja t’i dorëzohet Tedi Blushit. Gjithashtu, Meta autorizon motrën e tij të merret me çështjet financiare që lidhen me shërbimin juridik.
Në letër theksohet gjithashtu se, për arsye procedurale dhe urgjence lidhur me dokumentacionin për çështjen në GJKKO, ky ndryshim i mbrojtjes i është njoftuar edhe vetë gjykatës.
Një ditë më parë, avokati Kujtim Cakrani deklaroi se ndarja me Metën kishte ndodhur në mënyrë të qetë dhe pa tensione, duke shtuar se puna e bërë deri tani për çështjen ka qenë e rëndësishme dhe se avokati pasues do ta gjejë dosjen të përgatitur.
“I nderuar z. Avokat, Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe me shpresën e mirëkuptimit tuaj, për shkak jo vetëm të angazhimeve tuaja të shumta dhe të shtuara ndërkohë që ngarkesa e çështjes time jo vetëm në themel, por edhe për Gj.E.D.NJ kërkon angazhim të përditësuar e të përhershëm, kam vendosur që të kem një avokat që të merret vetëm me çështjen time dhe që të jetë në dispozicionin tim tërë kohën. Për punën që keni bërë deri tani kërkoj mirëkuptimin tuaj që t’ia dorëzoni z. Tedi Blushi. Ndërsa motra e ime është e autorizuar të diskutojë me ju për ekzekutimin e detyrimeve të mia financiare për mbrojtjen tuaj.
Për korrektesë dhe nisur nga urgjenca e marrjes së dokumentacionit procedural penal nga Gj.K.K.O për efekt të ndjekjes së çështjes time në Gj.E.D.NJ, jam i detyruar t’ju njoftoj për këtë ndryshim të mbrojtjes time edhe Gj.K.K.O. Me konsideratën time të veçantë, Ilir Meta”, shkruhet në letrën e firmosur prej Metës.






















