
Avokati Kujtim Cakrani nuk do të përfaqësojë më ish-presidentin Ilir Meta në procesin penal që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO/SPAK). Lajmi është konfirmuar nga Studio Ligjore “Cakrani”, e cila bën me dije se marrëdhënia klient–avokat është ndërprerë për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit mes palëve.
Shkëputja e bashkëpunimit vjen vetëm pak ditë pas seancës gjyqësore të së mërkurës, e cila u shoqërua me tensione mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Gjatë seancës u ngritën debate lidhur me Ardian Shatkun, kushëririn e Kryemadhit, i cili përmendet si një figurë e rëndësishme në dosjen hetimore. Në sallën e gjyqit pati gjithashtu replika dhe shkëmbime akuzash mes Metës dhe Kryemadhit.
Pas seancës, avokati Cakrani deklaroi për mediat se situata nuk lidhej me një konflikt personal mes ish-bashkëshortëve, por me diskutimet rreth dëshmitarit Ardian Shatku, duke theksuar se përmendja e tij në dosje dhe mosthirrja në proces kanë ndikuar në tensionimin e situatës.
Në një deklaratë publike, Studio Ligjore “Cakrani” thekson se bashkëpunimi me Metën është zhvilluar me profesionalizëm dhe angazhim të plotë, ndërsa përfundimi i marrëdhënies vjen si pasojë e mungesës së kushteve për vijimin e një mbrojtjeje efektive ligjore. Studio nënvizon gjithashtu se nuk ka konflikt interesi apo qëndrime polemike mes palëve, por vetëm pamundësi objektive për vijimin e bashkëpunimit.
Po ashtu, studio ligjore i uron ish-presidentit gjetjen e një përfaqësimi të ri ligjor dhe garanton respektimin e plotë të konfidencialitetit të informacionit të përfituar gjatë ushtrimit të detyrës si avokat.
Cakrani ishte avokati i dytë që përfaqësonte Metën në këtë proces që prej tetorit 2024. Më herët, mbrojtjen e tij e kishte ushtruar avokati Genc Gjokutaj, i cili u tërhoq nga çështja në maj të vitit të kaluar.






















