Një 32-vjeçar dyshohet se është vrarë me armë zjarri të dielën rreth orës 22:50, në një banesë në Ferizaj.
Sipas njoftimit të Policisë, viktima është identifikuar me inicialet F.H., ndërsa vdekja e tij është konstatuar në vendngjarje nga ekipi mjekësor.
Si i dyshuar për rastin është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë M.B., në banesën e të cilit dyshohet se ka ndodhur ngjarja.
Edhe vajza e tij, A.R., është ndaluar për 48 orë, por ajo ka pësuar lëndime trupore dhe mbetet nën trajtim mjekësor në QKUK.
“Nga hetimet fillestare rezulton se ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B. (48 vjeç), ku në momentin e incidentit ndodheshin bashkëshortja, si dhe vajza e tij, A.R. (24 vjeçe). Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në njoftimin e Policisë. “Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë’”, shtohet më tej.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim dhe me autorizimin e prokurorit të shtetit, është duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti./KOHA






















