
Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR ka deklaruar këtë të premte se Libani po përballet me një katastrofë humanitare me më shumë se 1 milion njerëz që kanë ikur nga shtëpitë e tyre pas sulmeve izraelite.
Që kur Forcat Mbrojtëse të Izraelit, IDF intensifikuan ofensivën e tyre në Liban në fillim të këtij muaji, duke iu përgjigjur raketave të lëshuara përtej kufirit nga grupi militant Hezbollah i mbështetur nga Irani, rreth një e pesta e popullsisë së Libanit është zhvendosur.
Përfaqësuesja e UNHCR-së në Liban, Karolina Lindholm Billing u shpreh se që kur sulmet izraelite shkatërruan disa ura në Libanin jugor, më shumë se 150,000 njerëz janë izoluar nga pjesa tjetër e vendit, duke kufizuar rëndë aksesin humanitar.
“Familjet jetojnë në frikë të vazhdueshme dhe pasojat psikologjike, veçanërisht tek fëmijët, do të zgjasin shumë përtej konfliktit aktual”, tha ajo.
Shumë prej refugjatëve të Libanit po ikin nga shtëpitë e tyre për herë të dytë ose të tretë, shpesh duke u kthyer në të njëjtat strehimore ku shkuan në vitin 2024 kur IDF pushtoi jugun e vendi.
Shumica e këtyre strehimoreve, shpesh shkolla, janë të mbipopulluara dhe të shtrira përtej kapacitetit të tyre, duke kufizuar aksesin në kanalizime dhe duke përkeqësuar stresin dhe traumën e zhvendosjes.
“Të moshuarit dhe ata me aftësi të kufizuara janë veçanërisht të prekur, të cilët kanë vështirësi të flenë në dyshemetë e klasave ose të përdorin mjediset e caktuara për fëmijë”, tha Billing.






















