
Hamasi do të detyrohet të lejojë shkatërrimin e rrjetit të gjerë të tuneleve në Gaza dhe të dorëzojë armët e saj në faza gjatë një periudhe tetë mujore, sipas planit të çarmatimit që iu prezantua luftëtarëve nga “Këshilli i Paqes” i Donald Trump.
Plani ndjek një kalendar që fillon me marrjen e kontrollit të sigurisë së Gazës nga një komision palestinez teknik, i mbështetur nga SHBA, dhe përfundon me tërheqjen e plotë të forcave izraelite “sapo të konfirmohet se Gaza nuk ka armë”.
Çarmatimi i Hamasit është një pikë kyçe në bisedimet për zbatimin e planit të Trump për Gazën dhe për konsolidimin e armëpushimit të tetorit, që ndërpreu dy vjet luftë.
Hamasi prej kohësh ka refuzuar kërkesat për dorëzimin e armëve, të cilat besohet se janë ruajtur kryesisht në tunelet e Gazës. Izraeli deklaron se nuk do të pranojë të tërhiqet nga Gaza pa një çarmatim të plotë të Hamasit.
Një zyrtar palestinez, i afërt me bisedimet, e përshkroi planin si “të padrejtë” dhe parashikon se Hamasi mund të kërkojë disa “ndryshime dhe përmirësime”. Zyrtari, i cili kërkoi anonimitet për shkak të natyrës sensitive të negociatave, tha se plani nuk jep garanci se Izraeli do të përmbushë detyrimet e tij dhe mund të rrisë rrezikun e rifillimit të luftës, duke lidhur rindërtimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës me çështje politike si çarmatimi.
Reuters shkruan se pati qasje në tekstin e plotë të planit, i cili u prezantua për herë të parë nga Al Jazeera, falë dy zyrtarëve palestinezë që morën pjesë në bisedime. Një zyrtar i Hamasit konfirmoi autenticitetin e tij.
Këshilli i Paqes e prezantoi planin për Hamasin javën e kaluar, dhe organizata ende nuk ka bërë asnjë koment publik. Një zyrtar i Hamasit tha se po e shqyrtojnë dokumentin.
Tre fraksione të tjera palestineze, përfshirë Jihadin Islamik, kritikuan planin, duke thënë se ai i jep padrejtësisht përparësi çarmatimit mbi rindërtimin dhe tërheqjen e forcave izraelite.
Plani përbëhet nga dy elementë: një dokument 12-pikësh me titullin “Hapat për zbatimin e Planit të Integruar të Paqes së Trump për Gazën” dhe një kalendar pesë-fazor ku Hamas dorëzon armët e tij brenda tetë muajve.
Sipas dokumentit, të gjitha fraksionet e armatosura në Gaza, përfshirë Jihadin Islamik, do të marrin pjesë në procesin e çarmatimit nën mbikëqyrjen e ekspertëve palestinezë të NCAG (Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës).
“Gaza do të qeveriset sipas parimit ‘një pushtet, një sistem ligjor, një ushtri’, ku vetëm personat e autorizuar nga NCAG mund të mbajnë armë dhe të gjitha fraksionet e armatosura do të ndalojnë aktivitetet ushtarake,” thuhet në dokument.
Procesi i çarmatimit do të verifikohet nga Komiteti i Verifikimit të Mbledhjes së Armëve, një organ i krijuar nga Nikolay Mladenov, përfaqësuesi kryesor i Këshillit të Paqes. Rindërtimi do të lejohet vetëm në zonat e demilitarizuara.
Plani tetë-mujor i çarmatimit
Pas armëpushimit të tetorit, Izraeli kontrollonte më shumë se gjysmën e Gazës, ndërsa Hamasi mbante gjysmën tjetër dhe dy milionë banorët e saj, shumica pa strehë pas dy vjet bombardimesh intensive.
Hamasi, i angazhuar për rezistencë të armatosur dhe i betuar për shkatërrimin e Izraelit, ka refuzuar publikisht çarmatimin, por në bisedime private shfaqet i gatshëm nëse procesi shoqërohet nga një rrugë politike që çon në krijimin e një shteti palestinez. Plani 12-pikësh nuk përmend krijimin e shtetit palestinez.
Sipas pikave të planit, gjatë fazës së parë, e cila do të zgjasë 15 ditë, NCAG do të marrë kontrollin e sigurisë dhe administrativ të Gazës dhe do të fillojë hapat përgatitorë për mbledhjen e armëve.
Në fazën e dytë, ditët 16-40, Izraeli do të largojë të gjitha armët e rënda nga zonat nën kontrollin e tij, duke përfshirë artilerinë e rëndë dhe automjetet e blinduara, dhe do të vendoset një forcë ndërkombëtare sigurie.
Faza e tretë, ditët 31-90, do të jetë më intensivja: Hamasi do t’ia dorëzojë të gjitha armët e tij të rënda dhe pajisjet ushtarake NCAG-ut dhe do të lejojë shkatërrimin e të gjitha tuneleve, eksplozivëve dhe infrastrukturës ushtarake.
Në fazën e katërt, ditët 91-250, forcat policore të NCAG-ut do të mbledhin dhe regjistrojnë të gjitha armët e mbetura, përfshirë pushkët. Forcat izraelite fillojnë të tërhiqen në faza.
Faza e pestë përshkruhet si “verifikimi përfundimtar” i çarmatimit, dhe në të forcat izraelite tërhiqen plotësisht nga Gaza, përveç pranisë së tyre në një perimetër sigurie, dhe fillojnë përpjekjet për rindërtim gjithëpërfshirës.






















