Për 16 vite me radhë, Viktor Orbán nuk ndërtoi vetëm një pushtet politik në Hungari. Ai ndërtoi një sistem të tërë kontrolli mbi informacionin, ku media, propaganda dhe shteti funksiononin si një mekanizëm i vetëm pushteti.
Sot, vetëm pak javë pas humbjes historike në zgjedhjet parlamentare të prillit, ajo perandori po përballet me shpërbërje të shpejtë.
Fitorja e Peter Magyar dhe partisë Tisza i dha fund 16 viteve të sundimit të Orbán dhe hapi një proces që analistët në Budapest e krahasojnë me rrëzimin e një regjimi të tërë propagande.
Gjatë qeverisjes së tij, qindra media u përqendruan nën kontrollin e oligarkëve pranë Fidesz-it dhe më pas u bashkuan te KESMA, fondacioni gjigant që kontrollonte pjesën më të madhe të tregut mediatik hungarez. Media publike u kthye në megafon qeveritar, ndërsa reklamat shtetërore u përdorën për të financuar mediat besnike dhe për të dobësuar zërat kritikë.
Por humbja elektorale duket se ka goditur pikërisht themelin e sistemit: paratë dhe frikën.
Reuters raportoi se televizione pranë Orbán kanë nisur të mbyllin programe, drejtues mediatikë po largohen dhe figurat kryesore të propagandës po humbasin ndikimin me shpejtësi. Në disa media publike janë rikthyer për herë të parë zëra opozitarë që për vite kishin qenë të përjashtuar nga ekrani.
Qeveria e re e Peter Magyar ka premtuar reformë të thellë të sistemit mediatik dhe ndërprerje të financimeve shtetërore për rrjetin e mediave të lidhura me Orbán.
Ironia politike është e fortë: sistemi që dukej i pathyeshëm nisi të shembet menjëherë sapo humbi pushtetin politik.
Sepse ajo që po rrëzohet sot në Hungari nuk është vetëm një perandori mediatike. Është modeli i një pushteti që për 16 vite arriti të shesë propagandën si realitet.






















