
Një deklaratë e Donald Trump, ku shfaqet duke thënë se është gjetur një ilaç që “ngjall të vdekurit”, u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u interpretua si një tjetër pretendim absurd i presidentit amerikan.
“Kemi marrë njerëz që ishin të vdekur”, dëgjohet të thotë Trump gjatë një bisede me gazetarët në Zyrën Ovale, duke përmendur një pacient që sipas tij kishte marrë edhe ritin e fundit fetar, ndërsa familjarët po qanin pranë shtratit.
Por, nëse shihet deklarata e plotë, bëhet e qartë se presidenti amerikan nuk po fliste për një ilaç që “rikthen të vdekurit në jetë”, por për raste pacientësh në gjendje tepër të rëndë që kanë reaguar pozitivisht ndaj trajtimeve eksperimentale.
Trump i referohej “Right to Try Act”, një ligj i miratuar gjatë mandatit të tij të parë, që u jep pacientëve me sëmundje terminale mundësinë të provojnë terapi eksperimentale ende të paautorizuara plotësisht.
Si në shumë raste të tjera, presidenti amerikan përdori gjuhë dramatike dhe hiperbolike për të përshkruar një përmirësim të rrallë mjekësor, duke krijuar përshtypjen sikur po fliste për “ringjallje” në kuptimin literal të fjalës.
Megjithatë, edhe vetë ligji “Right to Try” mbetet objekt debatesh në SHBA. Kritikët kanë argumentuar se pacientët kishin edhe më parë akses në trajtime eksperimentale përmes mekanizmave të posaçëm të emergjencës, ndërsa ndryshimet ligjore dobësuan mbrojtjen e tyre ndaj abuzimeve apo trajtimeve të pasigurta në momente shumë delikate të jetës.






















