Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se vendi i tij po shqyrton mundësinë e ngritjes së një padie ndaj gazetës The New York Times dhe një prej gazetarëve të saj për shpifje, pas publikimit të një artikulli ku pretendohej se ushtarë izraelitë dhe roje burgu kishin ushtruar dhunë seksuale të përhapur ndaj të burgosurve palestinezë.
Sipas raportimit të Reuters, Netanyahu deklaroi të enjten se ka udhëzuar këshilltarët e tij ligjorë që të shqyrtojnë “veprimet më të ashpra ligjore” kundër gazetës dhe gazetarit veteran Nicholas Kristof, i cili kishte raportuar mbi këtë çështje.
“Ne do t’i luftojmë këto gënjeshtra si në gjykatën e opinionit publik, ashtu edhe në gjykatë. E vërteta do të triumfojë”, është shprehur Netanyahu.
Megjithatë, ai nuk dha detaje se ku dhe kur mund të ngrihet kjo padi. Kjo nuk është hera e parë që Netanyahu kërcënon me veprime ligjore ndaj gazetës amerikane. Edhe në gushtin e vitit të kaluar ai kishte paralajmëruar padi ndaj The New York Times për një artikull që trajtonte çështjen e urisë në Gaza, por ajo nuk u realizua.






















