Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka reaguar ashpër ndaj futbollistit të Barcelonës, Lamine Yamal, pasi ky i fundit u pa duke mbajtur një flamur palestinez gjatë paradës së festimit të titullit kampion të klubit katalanas.
Në një deklaratë të publikuar në spanjisht, Katz e akuzoi futbollistin se po nxit përçarje në një moment të ndjeshëm për Izraelin, i cili ndodhet në konflikt të armatosur. Ai pretendoi se qëndrime të tilla përbëjnë nxitje urrejtjeje dhe u shpreh se ushtarët izraelitë po luftojnë kundër organizatës Hamas, të cilën e cilësoi përgjegjëse për sulmet e 7 tetorit 2023.
“Ata që mbështesin veprime të tilla duhet të pyesin veten nëse kjo është njerëzore dhe morale”, është shprehur Katz, duke shtuar se nuk do të qëndrojë i heshtur ndaj asaj që ai e konsideron nxitje kundër popullit hebre.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit i ka bërë thirrje gjithashtu klubit të Barcelonës që të mbajë një qëndrim zyrtar dhe të distancohet nga deklaratat apo veprimet që, sipas tij, mund të interpretohen si mbështetje e terrorizmit, duke kërkuar “tolerancë zero” ndaj çdo forme të nxitjes së urrejtjes.






















