Kina ka ndryshuar mënyrën e shkrimit të emrit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për t’i mundësuar pjesëmarrjen në samitin e presidentit amerikan Donald Trump në Pekin, pa ia hequr zyrtarisht sanksionet që Pekini i kishte vendosur më herët.
Rubio ishte sanksionuar nga Kina në vitin 2020 për shkak të kritikave të forta ndaj politikave kineze në Xinjiang dhe Hong Kong. Sanksionet përfshinin edhe ndalimin e hyrjes në territorin kinez.
Sipas raportimit të Al Jazeera, autoritetet kineze ndryshuan transliterimin kinez të mbiemrit të Rubios pak para se ai të merrte detyrën si sekretar i shtetit në administratën Trump.
Emri “Marco Lu” u përdor në vend të versionit të mëparshëm, duke krijuar një rrugë burokratike që teknikisht i lejoi Pekinit të ruante sanksionet ndaj “emrit të vjetër”, ndërsa njëkohësisht i hapte rrugë vizitës së tij zyrtare.
Dy diplomatë kanë deklaruar se besojnë se ky ndryshim u bë pikërisht për shkak të sanksioneve ekzistuese ndaj Rubios, ndërsa ambasada kineze nuk ka komentuar menjëherë mbi këtë çështje.
Rubio, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj Kinës dhe Partisë Komuniste Kineze, ka qenë një nga politikanët amerikanë më kritikë ndaj Pekinit, veçanërisht për çështjet e të drejtave të njeriut dhe Taiwan.






















