
Nacionalistë izraelitë brohoritën “vdekje arabëve”, “u djegshin fshatrat tuaja” dhe “Gaza është varrezë” gjatë një marshimi të sponsorizuar nga shteti në Jerusalem, me rastin e përvjetorit të pushtimit dhe aneksimit të qytetit.
Marshimi vjetor, që konsiderohet si demonstrim i kontrollit hebre mbi Jerusalemin Lindor palestinez, është bërë gjithnjë e më ekstrem vitet e fundit. Këtë vit, aktiviteti kulmoi me ministrin izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili valëviti një flamur izraelit përballë xhamisë Al-Aksa, vendi më i shenjtë islam në qytet.
Shumica e palestinezëve në lagjen myslimane të Qytetit të Vjetër kishin mbyllur dyqanet dhe ishin larguar para nisjes së marshimit, por grupe hebraike të ekstremit të djathtë u përplasën me palestinezët që kishin mbetur aty. Të dy palët hodhën karrige ndaj njëra-tjetrës, derisa policia ndërhyri me forca të shumta.
“Kam ardhur t’i tregoj gjithë botës se ky është qyteti ynë. Kjo është Toka e Shenjtë. Zoti na e dha këtë vend dhe këtë qytet”, tha 19-vjeçari Ariel Amichai, pjesëmarrës në marshim.
I pyetur se cili ishte mesazhi i marshimit për palestinezët e Jerusalemit, ai u përgjigj: “Që duhet të largohen. Ky është vendi ynë. Nuk mund të jenë këtu dhe të përpiqen të na therin apo vrasin.”
Pjesëmarrësit në marshim u transportuan me autobusë nga pjesë të ndryshme të Izraelit dhe nga kolonitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, në një operacion të financuar nga bashkia e Jerusalemit dhe ministri të qeverisë. Në marshim mori pjesë edhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich.
Pasi palestinezët u larguan nga Qyteti i Vjetër, tensionet u zhvendosën mes marshuesve të mbështetur nga qeveria dhe aktivistëve të grupit hebre “Standing Together”, të cilët kishin ardhur për të mbrojtur palestinezët nga dhuna politike.
Në kompleksin e Al-Aksasë, i njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit, Ben-Gvir kërceu me mbështetësit e tij duke kënduar “Mali i Tempullit është në duart tona”, ndërsa valëviste flamurin izraelit. Ministri ka udhëhequr një fushatë për të dobësuar status quo-në 59-vjeçare, sipas së cilës jo-myslimanëve u ndalohet të falen në këtë zonë të shenjtë.
Më vonë, Ben-Gvir shkroi në Telegram: “59 vite pas çlirimit të Jerusalemit, ngrita flamurin izraelit në Malin e Tempullit dhe mund të themi me krenari: kemi rikthyer kontrollin mbi Malin e Tempullit.”






















