Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk është “i kënaqur” me propozimin më të fundit të Iranit për zgjidhjen e konfliktit, duke shtuar se disa nga kërkesat e palës iraniane janë të papranueshme, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Ata po kërkojnë gjëra me të cilat nuk mund të pajtohem”, u shpreh Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian ka zbuluar disa nga elementet që përfshihen në draft-marrëveshjen e diskutuar mes palëve. Sipas tij, plani parashikon përfundimin e luftës me garanci që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos kryejnë më sulme ndaj Iranit, hapjen e Ngushtica e Hormuzit, si dhe heqjen e bllokadave amerikane.
Po ashtu, marrëveshja përfshin nisjen e bisedimeve të reja për programin bërthamor iranian, në këmbim të heqjes së sanksioneve nga SHBA, si dhe njohjen e së drejtës së Iranit për pasurim të uraniumit për qëllime paqësore, me kushtin që aktiviteti të mund të pezullohet.
Sipas raportimeve të Reuters, një zyrtar iranian ka deklaruar se negociatat për çështjen bërthamore “kanë hyrë në fazën përfundimtare”, me synimin për të krijuar një klimë më të favorshme për marrëveshje.
Nga ana tjetër, Uashingtoni ka përsëritur qëndrimin se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të garantojë që Irani të mos pajiset me armë bërthamore.






















