
Nga Alfrida Marku
Gjithçka ndodh në PD sot, nuk është më thjesht një krizë. Është pasoja e zgjedhjeve të gabuara, e interesave personale e qëndrimeve jo të sinqerta, e refuzimit për t’u ndarë nga e kaluara.
Një rrugë e gabuar që e ka larguar Partinë Demokratike çdo ditë e më shumë nga demokratët.
Besimi se individë të kontestuar dhe në konflikt me drejtësinë mund të rikthenin fitoren, ishte që në fillim dhe u konfirmua prej kohësh i gabuar dhe me kosto të rëndë.
Ata që zgjodhën të udhëheqin këtë rrugë, duke vendosur interesin personal mbi atë të demokratëve, kanë një barrë të madhe për gjendjen ku ndodhet sot Partia Demokratike!!
Pa asnjë përgjegjësi publike mbështetën dhe vijojnë përsërisin të njejtat gënjeshtra sikurse para 5 viteve.
Shumë të tjerë, shkelën mbi qëndrimet e tyre të fillimit, mbi parimet, mbi mundësinë që Partia Demokratike të zhvillohej drejt së ardhmes e shkëputur nga e kaluara. U zvogëluan sa ndenjësja e një karrigeje deputeti, e sot kanë mbetur pa autoritet e peshë argumenti.
Sepse, në fund të fundit, nuk mund të flasësh kundër korrupsionit dhe, në të njëjtën kohë, të ulësh kokën përballë tij kur ndodhet në shtëpinë tënde politike.
Këtu fillon e mbaron liria e secilit prej nesh! Pushteti i secilit mbi veten dhe përgjegjësinë publike !
Nuk ndjej keqardhje për ata që e sollën Partinë Demokratike, me dashje, në këtë ditë!!
Por ndjej dhimbje për mijëra demokratë që besuan, sakrifikuan, e sot ndihen të zhgënjyer, të përdorur, te pashpresë!
Një brez që u lanë pa zë dhe u “dogjën” politikisht pa pasur një shans të drejtë.
Më shumë se një dekadë në Partinë Demokratike dhe e angazhuar drejtpërdrejt në jetën publike, vite që më lidhin mbi të gjitha njerëzisht me mijëra individë, sot ndjej keqardhje për rrugën që kjo parti ka marrë.
Sot PD është më e ndarë se kurrë!
Më e pamjaftueshme dhe më pak përfaqësuese se asnjëherë më parë! Nuk gjeneron më ide, nuk ka argumenta që i përgjigjen kohës!
Nuk frymëzon më, nuk bashkon më, nuk jep më shpresë. PD është larguar nga intelektualët, të rinjtë nuk projektojnë veten në mentalitetin e ashpër e padrejtë që dominon drejtimin e kësaj force politike.
Por unë ende besoj se kjo parti mund të ringrihet, vetëm nëse gjen guximin të përballet me të vërtetën, me vetveten.
Partia Demokratike duhet të çlirohet nga individët dhe mentaliteti që po e mbajnë peng, dhe t’u rikthehet vlerave: përgjegjshmërisë, meritokracisë dhe respektit për drejtësinë.
Thirrja ime sot është për çdo demokrat: mos u pajtoni me këtë model drejtimi. Mos heshtni përballë kësaj rënieje.
Mos kufizoni lirinë e dinjitetin tuaj për interesat e padrejta të disa individëve, të cilët, shqiptarët i kanë refuzuar që në 2013 !
…..Një ditë, demokratët do e gjejnë rrugën e bashkimit, atëherë kur vlerat të udhëheqin drejt së ardhmes.






















