
Dy aktivistë që morën pjesë në një flotilje ndihmash drejt Gazës janë dërguar në Izrael për t’u marrë në pyetje, bëri të ditur ministria e jashtme izraelite.
Sipas saj, dy prej drejtuesve të flotiljes, Thiago Ávila nga Brazili dhe Saif Abu Keshek nga Spanja, “do të transferohen për t’u marrë në pyetje nga autoritetet ligjzbatuese”.
Ministria shtoi se të dy do të marrin vizita konsullore nga përfaqësuesit e vendeve të tyre në Izrael.
Flotilja “Global Sumud”, e përbërë nga 22 anije, u ndalua të mërkurën në mbrëmje pranë brigjeve të Kretës, ndërsa po përpiqej të transportonte ndihma drejt Gazës.
Pothuajse të gjithë aktivistët — rreth 175 persona që u nisën nga Italia të hënën — janë liruar pas ndalimit nga forcat izraelite, me përjashtim të dy drejtuesve. Organizatorët e flotiljes e kanë cilësuar ndalimin e tyre si të paligjshëm dhe kanë kërkuar nga qeveritë ndërkombëtare të ushtrojnë presion për lirimin e menjëhershëm.
Ndërkohë, tre aktivistë australianë kanë nisur një grevë urie në Kretë, pasi, sipas tyre, u lanë atje nga autoritetet izraelite pas ndalimit të flotiljes. Ata pretendojnë gjithashtu se janë keqtrajtuar gjatë dy ditëve që kanë qëndruar të ndaluar në një anije izraelite.






















