
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Moska do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar në arritjen e paqes në Lindjen e Mesme, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, në Rusi.
Sipas mediave shtetërore ruse, Putin i tha Araghchit gjatë takimit të zhvilluar të hënën në Shën Petersburg:
“Për pjesën tonë, ne do të bëjmë gjithçka që i shërben interesave tuaja, interesave të të gjithë popujve të rajonit, në mënyrë që paqja të arrihet sa më shpejt.”
Rusia dhe Irani, të dyja nën sanksione të ashpra perëndimore, janë afruar gjithnjë e më shumë vitet e fundit. Sipas raportimeve, Moska i ka ofruar Iranit mbështetje diplomatike në OKB, si dhe bashkëpunim në fushën e inteligjencës.
Vizita diplomatike e Araghchit në Rusi vjen pas ndalesave të fundit në Pakistan dhe Oman, dy vende që kanë vepruar si ndërmjetës mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Më herët, ministri iranian i Jashtëm deklaroi se kërkesat e tepruara të SHBA-së çuan në dështimin e negociatave që u zhvilluan në Islamabad.






















