Menjëherë pasi u raportuan të shtënat gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë të shtunën mbrëma, rrjetet sociale u përmbytën nga teori konspirative, akuza dhe spekulime për sulmin.
Në një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm pas ngjarjeve të tilla, influencues dhe përdorues të njohur të rrjeteve sociale nxituan të mbushnin boshllëkun e informacionit me hipoteza dhe interpretime, shpesh pa prova, në përpjekje për të tërhequr vëmendje dhe ndjekës.
Sipas të dhënave të kompanisë së analizës së mediave sociale TweetBinder, vetëm deri në mesditën e së dielës më shumë se 300 mijë postime në platformën X përdornin fjalën “staged” (inskenuar), duke sugjeruar pa prova se sulmi mund të ishte i organizuar për qëllime politike, si shpërqendrim nga sondazhet negative apo nga lufta me Iranin. Megjithatë, një pjesë e postimeve kundërshtonin këtë pretendim.
Përdorues nga të gjitha krahët politikë morën pjesë në këtë kaos informativ në platforma si X, Facebook dhe TikTok. Disa prej tyre lidhën autorin e sulmit me kauza izraelite pa prova, ndërsa të tjerë përdorën edhe imazhe të manipuluara me inteligjencë artificiale për të mbështetur pretendimet e tyre. Disa nga këto teori u amplifikuan edhe nga kanali shtetëror rus RT në rrjetin X.
Rezultati ishte një përplasje e menjëhershme narrativesh në internet, ku brenda minutave nga publikimi i lajmit nis përhapja e thashethemeve dhe spekulimeve, të cilat mund të vazhdojnë për ditë apo javë edhe kur faktet reale mbeten ende të paqarta.
“Shumë njerëz e riformojnë realitetin sipas asaj që duan të jetë e vërtetë,” tha Cliff Lampe, profesor në Universitetin e Miçiganit. “Ata nuk kërkojnë informacion të mirëfilltë, por informacion që konfirmon bindjet e tyre.”
Në mesin e postimeve më të shpërndara në internet ishin edhe pretendimet se sulmuesi ishte vrarë në vendngjarje — ndërkohë që në fakt ai u arrestua nga autoritetet. Edhe pse disa autorë më vonë korrigjuan postimet e tyre, këto sqarime morën shumë më pak shikime se lajmet e para të rreme.
Ekspertët theksojnë se motivimi për të përhapur spekulime shpesh lidhet me përfitimin nga vëmendja online. Në platforma si X, ku krijuesit mund të përfitojnë financiarisht nga shikimet dhe ndërveprimi, postimet sensacionale mund të sjellin më shumë ndjekës dhe të ardhura.
“Për të nxjerrë të vërtetën dhe për të verifikuar faktet duhet kohë,” tha Amanda Crawford, profesore në Universitetin e Konektikatit. “Por publiku shpesh nuk ka durimin për këtë dhe kështu krijohen narrativa të menjëhershme që përpiqen t’u përgjigjen pyetjeve që njerëzit duan të dëgjojnë.”






















