Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka ndjerë frikë gjatë momentit kur u evakuua nga darka e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, pasi një person i armatosur tentoi të depërtonte në ambientet e eventit.
“Nuk isha i shqetësuar. E kuptoj jetën. Jetojmë në një botë të çmendur”, u shpreh Trump në një intervistë për emisionin “60 Minuta” të CBS, një ditë pas incidentit të ndodhur në një hotel në Uashington, DC.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në hotelin Washington Hilton, ku një 31-vjeçar i identifikuar si Cole Thomas Allen hapi zjarr pranë një pike kontrolli sigurie, duke shkaktuar panik dhe ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit. Ai u arrestua në vendngjarje dhe pritet të dalë para gjykatës.
Sipas autoriteteve amerikane, hetimi po zhvillohet nga FBI dhe njësia kundër terrorizmit, ndërsa motivi i sulmit mbetet ende nën hetim. Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, tha se gjetjet paraprake sugjerojnë se i dyshuari mund të ketë pasur në shënjestër zyrtarë të lartë të administratës së Shtëpisë së Bardhë.
Në momentin e incidentit, Trump ndodhej në event së bashku me figura të larta të qeverisë amerikane, përfshirë nënpresidentin JD Vance, sekretarin e Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., zëdhënësen Karoline Leavitt dhe këshilltarin Stephen Miller.
Pas evakuimit të menjëhershëm nga skena, presidenti deklaroi para gazetarëve se posti i tij mbetet një nga më të rrezikshmit: “Nuk mund të imagjinoj një profesion më të rrezikshëm se ky.”
Në një deklaratë të publikuar të dielën, Shtëpia e Bardhë theksoi se presidenti “qëndron i patrembur” pas asaj që e cilësoi si një tentativë për atentat, gjatë së cilës u qëllua me armë zjarri në drejtim të eventit ku merrnin pjesë ai dhe anëtarë të kabinetit.






















