Autoritetet federale amerikane po hetojnë një shënim që dyshohet se është shkruar nga personi i ndaluar në lidhje me sulmin gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, i cili sipas hetuesve tregon zemërim ndaj veprimeve të administratës Trump.
Shkrimi iu është dhënë gazetës The New York Times nga dy zyrtarë të zbatimit të ligjit që kërkuan të mbeten anonimë, pasi nuk ishin të autorizuar të bënin publike informacionin. I dyshuari, i identifikuar nga autoritetet si Cole Tomas Allen, 31 vjeç, nga Torrance i Kalifornisë, ndodhet në paraburgim dhe pritet të përballet me disa akuza në një seancë gjyqësore të hënën.
Nuk është e qartë nëse Allen ka siguruar përfaqësim ligjor, ndërsa familjarët e tij nuk kanë qenë të arritshëm për koment.
“Në këtë shkrim thuhet: “Unë jam qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo që bëjnë përfaqësuesit e mi reflekton mbi mua.”
Në një fjali tjetër, autori i referohet akuzave për sjellje seksuale të papërshtatshme, duke thënë se nuk është më i gatshëm të lejojë që “një tradhtar të njollosë duart e mia me krimet e tij”, një referencë që duket se i drejtohet presidentit Donald Trump, megjithëse emri i tij nuk përmendet drejtpërdrejt në shkrim.
Shënimi sugjeron gjithashtu se zyrtarët e administratës ishin objektivat kryesore.
“Zyrtarët e administratës (përveç z. Patel): janë objektiva, të renditur nga më të lartët te më të ultët”, thuhet në shkrim, duke iu referuar me sa duket drejtorit të FBI-së, Kash Patel. Nuk është e qartë pse ai përjashtohet nga lista e objektivave.
Sipas dokumentit, agjentët e Shërbimit Sekret janë “objektiva vetëm nëse është e nevojshme”, ndërsa sigurimi i hotelit, Policia e Kapitolit dhe Garda Kombëtare “nuk duhet të jenë objektiva nëse është e mundur”. Punonjësit e hotelit dhe të ftuarit “nuk janë objektiva në asnjë rast”.
Në rreth 1000 fjalë, dokumenti përmban edhe një listë të gjatë ndjesash ndaj miqve, studentëve, familjes dhe të tjerëve për veprimet e tij, si dhe falënderime për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë jetës. Nuk është ende e qartë se ku e kanë siguruar autoritetet këtë shkrim.
Duke parashikuar kritikat se sulmi mund të mos ishte në përputhje me mësimet e krishtera, autori i referohet edhe raporteve për abuzime në qendrat e ndalimit të emigrantëve, sulmeve vdekjeprurëse ndaj anijeve në Detin e Karaibeve dhe Paqësorin Lindor, si dhe bombardimit të një shkolle fillore në Iran.
“Të kthesh faqen tjetër kur shtypet dikush tjetër nuk është sjellje e krishterë,” thuhet në shkrim. “Është bashkëpunim me krimet e shtypësit.”
Trump iu referua këtij dokumenti në një intervistë për Fox News të dielën në mëngjes, duke thënë se i dyshuari kishte “një manifest” dhe se “urrejt të krishterët”.
“Ai ishte një njeri shumë i trazuar,” tha Trump.






















