Irani ka ndërmarrë sërish sulme me raketa dhe dronë ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, duke rritur tensionet në rajon.
Autoritetet e Emirateve njoftuan të martën pasdite se sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për t’u përballur me sulmet që vijnë nga Irani në zona të ndryshme të vendit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zhurmat e forta të dëgjuara nga qytetarët lidhen me përgjimin e raketave balistike, raketave lundruese dhe dronëve nga sistemet mbrojtëse të vendit.
“Ministria e Mbrojtjes konfirmon se zhurmat e dëgjuara në pjesë të ndryshme të vendit janë rezultat i ndërhyrjes së mbrojtjes ajrore ndaj raketave dhe dronëve të lëshuar nga Irani”, thuhet në deklaratën zyrtare të publikuar në platformën X.
Një ditë më parë, Emiratet raportuan se katër dronë iranianë ishin nisur drejt territorit të tyre, por asnjëri nuk arriti objektivin. Tre prej tyre u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, ndërsa një tjetër ra në det.
Më pas, mediat raportuan për një zjarr të madh në një objekt nafte në Fujairah, që dyshohet se u shkaktua nga një dron iranian.
Sipas raportimeve paraprake, tre shtetas indianë mbetën të plagosur dhe po marrin trajtim në spital, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën.






















