
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka deklaruar se vendet e Gjirit duhet të shmangin “huazimin e sigurisë” nga shtete jashtë rajonit, duke kritikuar praninë ushtarake të SHBA-së në rajon.
Në një intervistë për televizionin iranian Press TV, Baghaei tha se prania ushtarake amerikane në Gjirin Persik përbën, sipas tij, një faktor pasigurie dhe jo stabiliteti.
“Prania ushtarake e SHBA-së në Gjirin Persik është një barrë dhe nuk sjell asgjë tjetër veçse pasiguri”, u shpreh ai, duke akuzuar Uashingtonin se përdor asetet ushtarake dhe mbështetjen logjistike në vendet e rajonit për të “çuar më tej aktet e agresionit kundër Iranit”.
“Ne nuk ndiejmë armiqësi ndaj asnjë vendi të rajonit. Arsyeja e vetme pse u detyruam të godisnim territoret e tyre ishte thjesht sepse duhej të mbroheshim nga një akt agresioni nga SHBA-ja dhe Izraeli”, shtoi Baghaei.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të shtuara në rajon, ndërsa sipas raportimeve, Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se të paktën 15 raketa dhe disa dronë të lëshuar nga Irani kanë shënjestruar territorin e tyre, përfshirë edhe një objekt nafte në Fujairah.






















