Bota 13 Dhjetor 2025, 16:47 Nga VNA

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen tërheq çmimin në Oslo bën thirrje për drejtësi, paqe dhe liri në Venezuelë

Ndaje në Whatsapp
Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen tërheq çmimin në

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado, është detyruar të jetojë e fshehur. Ajo është nderuar me Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj në promovimin e të drejtave demokratike të popullit venezuelian.

Megjithatë, ajo ka arritur të ndërmarrë udhëtimin e vështirë dhe të rrezikshëm nga Venezuela drejt Norvegjisë, duke mbërritur vetëm dje në Oslo për të marrë Çmimin Nobel për Paqen. Në foto shfaqet pranë Jørgen Watne Frydnes, kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit, me diplomën dhe medaljen e Çmimit Nobel.

Kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit,në fjalimin e tij ndër të tjera denoncoi me shembuj tronditës brutalitetin e regjimit të Nicolás Maduro-s dhe shkatërrimin e demokracisë në Venezuelë, duke theksuar se autoritarizmi sjell dhunë, padrejtësi dhe krizë humanitare. 

Çmimi, tha Frydnes, nderon rezistencën paqësore të opozitës venezueliane dhe të María Corina Machado-s, duke pohuar se demokracia është themeli i paqes dhe se vullneti i popullit për liri nuk mund të shtypet.

Fjalim i mbajtur nga Jørgen Watne Frydnes, Kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit,

Shkëlqesi,

Të nderuar të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Samantha Sofia Hernandez, një vajzë 16-vjeçare, u rrëmbye brutalisht muajin e kaluar nga anëtarë të maskuar të forcave të sigurisë së regjimit të Maduros. Ajo u mor nga shtëpia e gjyshërve të saj. Ku ndodhet tani, nuk e dimë – ndoshta në një nga qendrat e ndalimit të diktaturës. Ajo mund të jetë bashkë me të atin, i cili u zhduk pa lënë gjurmë në janar.

Çfarë kishin bërë gabim?

Vëllai i saj ishte ushtar, por refuzoi të zbatonte urdhrat e regjimit për të kryer akte brutale kundër popullsisë.

Për këtë “faj”, e gjithë familja duhej të ndëshkohej.

Juan Requesens urdhërohet të kthehet ngadalë drejt kamerës. Videoja e tregon duke qëndruar me një vështrim të hutuar, sikur në mjegull, i veshur vetëm me të brendshme të ndotura me feçe. Ai gjoja kishte rrëfyer se kishte planifikuar një grusht shteti. Por, sigurisht, nuk kishte asnjë provë. Një ditë para arrestimit, Juan kishte qëndruar përpara Asamblesë Kombëtare. Ai mbajti një fjalim ku përsëriti një fjali kyçe, një premtim ndaj vendit të tij dhe ndaj vetes:

“Unë refuzoj të dorëzohem.”

Alfredo Diaz, një lider opozitar dhe ish-kryebashkiak, u nxor me forcë nga një autobus nëntorin e kaluar dhe u hodh në thellësitë e El Helicoide-s, dhomës më të madhe të torturës në Amerikën Latine. Edhe një i burgosur politik tjetër, në një varg të gjatë. Këtë javë erdhi lajmi për vdekjen e tij. Edhe një jetë e humbur. Edhe një viktimë e regjimit. 

Këto histori nuk janë të rralla. Ky është Venezuela sot. Kështu e trajton regjimi venezuelian popullin e vet.

Një motër.

Një student.

Një politikan.

Çdo njeri që ende beson se e vërteta duhet thënë me zë të lartë, mund të zhduket me dhunë në një sistem të ndërtuar posaçërisht për ta shuar këtë besim.

Samantha, Juan dhe Alfredo nuk ishin ekstremistë. Ata ishin venezuelianë të zakonshëm që ëndërronin liri, demokraci dhe të drejta.

Për këtë arsye, jetët e tyre iu grabitën.

Nën këtë regjim, as fëmijët nuk kursehen. Më shumë se 200 fëmijë u arrestuan pas zgjedhjeve të vitit 2024. Kombet e Bashkuara i dokumentuan përjetimet e tyre si më poshtë:

Qese plastike të shtrënguara fort mbi kokë.

Goditje elektrike në organet gjenitale.

Goditje aq brutale në trup, saqë të dhembte të merrje frymë.

Dhuna seksuale.

Qeli aq të ftohta sa shkaktonin dridhje të forta.

Ujë i ndotur për t’u pirë, i mbushur me insekte.

Britma që askush nuk vinte t’i ndalonte.

Një fëmijë qëndronte shtrirë në errësirë duke pëshpëritur emrin e nënës së tij, pa pushim, me shpresën që ajo të mos besonte se ai kishte vdekur.

Një djalë 16-vjeçar u kthye më në fund në shtëpi, aq i shkatërruar nga goditjet elektrike dhe rrahjet, sa nuk mund ta përqafonte nënën pa ndjerë dhimbje të forta në trup. Për muaj të tërë trembej nga çdo zhurmë dhe mezi flinte. Natën zgjohej i tronditur – i bindur se ushtarët ishin kthyer për të vazhduar torturat.

Ndërsa ne jemi këtu, në Bashkinë e Oslos, njerëz të pafajshëm janë të mbyllur në qeli të errëta në Venezuelë. Ata nuk mund t’i dëgjojnë fjalimet e sotme – dëgjojnë vetëm britmat e të burgosurve që po torturohen.

Kështu përpiqen pushtetet autoritare të shtypin ata që ngrihen për demokracinë.

Kombet e Bashkuara i kanë shpallur këto akte si krime kundër njerëzimit.

Ky është regjimi i Nicolás Maduro-s.

Venezuela është shndërruar në një shtet brutal dhe autoritar, që përballet me një krizë të thellë humanitare dhe ekonomike. Ndërkohë, një elitë e vogël në majë – e mbrojtur nga pushteti politik, armët dhe pandëshkueshmëria ligjore – pasurohet.

Në hijen e kësaj krize, mijëra gra dhe fëmijë detyrohen në prostitucion dhe trafikim njerëzor. Vajzat zhduken pa lënë gjurmë. Fëmijët kthehen në mall tregtie në duart e kriminelëve që e shohin dëshpërimin njerëzor si një mundësi biznesi.

Një e katërta e popullsisë tashmë ka ikur nga vendi – një nga krizat më të mëdha të refugjatëve në botë.

Ata që mbeten jetojnë nën një regjim që sistematikisht hesht, ngacmon dhe sulmon opozitën.

Venezuela nuk është e vetme në këtë errësirë. Bota po shkon në drejtimin e gabuar. Autoritarët po fitojnë terren.

Duhet të shtrojmë pyetjen e pakëndshme:

Pse është kaq e vështirë për ne të ruajmë demokracinë – një formë qeverisjeje e krijuar për të mbrojtur lirinë dhe paqen tonë?

Kur demokracia humbet, rezultati është më shumë konflikt, më shumë dhunë, më shumë luftë.

Në vitin 2024 u mbajtën më shumë zgjedhje se kurrë më parë – por gjithnjë e më pak prej tyre janë të lira dhe të ndershme. Ligji keqpërdoret. Mediat e pavarura heshten. Kritikët burgosen.

Gjithnjë e më shumë vende, përfshirë edhe ato me tradita të gjata demokratike, po rrëshqasin drejt autoritarizmit dhe militarizmit.

Regjimet autoritare mësojnë nga njëri-tjetri. Ato ndajnë teknologji dhe sisteme propagande. Pas Maduro-s qëndrojnë Kuba, Rusia, Irani, Kina dhe Hezbollahu – duke i siguruar armë, mbikëqyrje dhe mbështetje ekonomike. Ato e bëjnë regjimin më të fortë dhe më brutal.

E megjithatë – mes kësaj errësire – gjejmë venezuelianë që kanë refuzuar të dorëzohen. Ata që e mbajnë gjallë flakën e demokracisë. Që nuk përkulen kurrë, pavarësisht kostos personale. Ata na kujtojnë vazhdimisht se çfarë është në rrezik.

Shumë prej tyre janë sot me ne:

Presidenti i zgjedhur i Venezuelës, Edmundo González Urrutia.

Carlos, poeti.

Claudia, aktivistja.

Pedro, profesori universitar.

Ana Luisa, infermierja.

Corina, gjyshja.

Antonio, politikani i opozitës.

María Corina, laureatja e Çmimit Nobel për Paqen.

Në zemër të betejës për demokracinë shkëlqen një e vërtetë e thjeshtë: Demokracia është më shumë se një formë qeverisjeje. Ajo është edhe baza e paqes së qëndrueshme.

Miliona venezuelianë e dinë këtë.

Vit pas viti, studentë, sindikata, gazetarë, grupe biznesi dhe qytetarë të zakonshëm janë mobilizuar në valë rezistence.

Kanë mbushur rrugët në protesta. Kur votat iu morën, ranë tenxheret dhe tiganët. Kur mbikëqyrja shtetërore është e pashmangshme, ata pëshpërisin.

Njerëz nga i gjithë spektri politik – nga komunistët te konservatorët – janë ngritur për të sfiduar regjimin. Opozita ka provuar një strategji pas tjetrës.

Dhe gjatë gjithë kësaj kohe kanë thënë:

Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi.

Shenjtërinë e kutisë së votimit.

Demokraci.

Paqe.

Por përgjigjja që marrin është se këto gjëra janë të pamundura. Se do të dështojnë.

Dhe kur venezuelianët i kërkuan botës të shikonte – ne kthyem shpinën.

Çmimi Nobel për Paqen i këtij viti përmbush të tria kriteret e përcaktuara në testamentin e Alfred Nobelit.

Së pari, opozita venezueliane ka bashkuar lëvizje politike, organizata të shoqërisë civile dhe qytetarë të zakonshëm rreth një qëllimi të vetëm: rivendosjes së demokracisë. Bashkimi i grupeve të ndryshme, që më parë kundërshtonin njëra-tjetrën, është ekuivalenti modern i asaj që Alfred Nobel e quante mbajtje kongresesh paqeje.

Së dyti, lëvizja demokratike në Venezuelë i është kundërvënë militarizimit të shoqërisë nga regjimi. Regjimi ka armatosur mijëra grupe, ka autorizuar banda paramilitare të kryejnë abuzime dhe ka ftuar forca të huaja ushtarake në vend, duke përshpejtuar kështu militarizimin. Duke dokumentuar shkeljet dhe duke kërkuar llogaridhënie, opozita synon të forcojë autoritetin demokratik civil dhe të zbehë ndikimin e armëve. Kjo ua heq armët dhe autonominë kriminelëve dhe milicive besnike ndaj regjimit – dhe përmbush kriterin e Nobelit për kërkimin e paqes përmes çarmatimit.

 

Së treti, vëllazëria e vërtetë – ajo që Alfred Nobel e kishte parasysh – kërkon demokraci. Vetëm kur njerëzit janë në gjendje të zgjedhin udhëheqësit e tyre dhe të flasin pa frikë, paqja mund të zërë rrënjë, qoftë brenda një shoqërie apo mes shteteve. Demokracia është forma më e lartë e bashkësisë njerëzore dhe rruga më e sigurt drejt paqes së qëndrueshme.

Prandaj, sot, këtu në këtë sallë – me gjithë peshën dhe solemnitetin që shoqërojnë Çmimin Nobel për Paqen dhe këtë ceremoni vjetore – ne do të themi atë që udhëheqësit autoritarë e kanë më shumë frikë:

Pushteti juaj nuk është i përhershëm.

Dhuna juaj nuk do të mbizotërojë mbi njerëzit që ngrihen dhe rezistojnë.

Zoti Maduro,

Duhet të pranoni rezultatet e zgjedhjeve dhe të largoheni nga pushteti.

Të vendosni themelet për një tranzicion paqësor drejt demokracisë.

Sepse ky është vullneti i popullit venezuelian.

María Corina Machado dhe opozita venezueliane kanë ndezur një flakë që asnjë torturë, asnjë gënjeshtër dhe asnjë frikë nuk mund ta shuajë.

Kur të shkruhet historia e kohës sonë, nuk do të jenë emrat e sundimtarëve autoritarë ata që do të spikasin – por emrat e atyre që guxuan të rezistojnë.

Ata që qëndruan drejt përballë rrezikut.

Ata që vazhduan, kur të tjerët u dorëzuan.

Carl von Ossietzky.

Andrei Sakharov.

Nelson Mandela.

Në historinë e saj të gjatë, Komiteti Norvegjez i Nobelit ka nderuar gra dhe burra të guximshëm që janë ngritur kundër shtypjes, që kanë mbajtur gjallë shpresën për liri në qelitë e burgut, në rrugë dhe në sheshe publike, dhe që me veprimet e tyre kanë treguar se rezistenca mund ta ndryshojë botën.

Sot, ne ju nderojmë ju, María Corina Machado.

Gjithashtu, ne bëjmë homazh për të gjithë ata që presin në errësirë.

Për të gjithë ata që janë arrestuar dhe torturuar, ose janë zhdukur.

Për të gjithë ata që vazhdojnë të shpresojnë.

Për të gjithë ata në Karakas dhe në qytete të tjera të Venezuelës që janë të detyruar ta pëshpëritin gjuhën e lirisë.

U dëgjoftë zëri ynë sot.

Ta kuptojnë se bota nuk po kthen shpinën.

Se liria po afrohet.

Dhe se Venezuela do të bëhet paqësore dhe demokratike.

Le të agojë një epokë e re.

Video

U gjet fajtori për firmat ...

Lapaj...vijon protestën tek Kryeministria, Policinë ndërhyn për të marrë gjeneratorin Kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj dhe disa qytetarë po vijojnë protestën para Kryeministrisë. Por teksa pritej të zhvillohej tubimi në orën 17:00, Policia ndërhyri për t'i hequr gjeneratorin, dhuruar nga një emigrant shqiptar në Angli. Policia ka ndërhyrë ndaj protestuesve duke iu kërkuar të lirojnë trotuarin përpara kryeministrisë. Lapaj ka debatuar me forcat e rendit, duke thënë se ka leje për këtë tubim. Na thoni cilin ligj kemi shkelur?”, thotë Lapaj. Ndërkohë policia ka kërkuar heqjen e një gjeneratori për energjinë elektrike, si dhe karrigeve aty pranë. Protestuesit pretendojnë se janë konform ligjit dhe nuk e kanë shkelur atë, pasi ka të bëjë me një protestë të rregullt.

Në selinë e PD pritet të nisë mbledhja e Kryesisë, ku do të diskutohet për protestat e paralajmëruara, por edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, ka kërkuar që kjo çështje të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Në mbledhje i pranishëm dhe Ervin Salianji.

16 persona kanë humbur jetën në Rripin e Gazës gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm dhe erërave të forta që kanë goditur enklavën. Mes viktimave janë edhe tre fëmijë, të cilët vdiqën nga ekspozimi ndaj të ftohtit. Sipas Mbrojtjes Civile, 13 shtëpi u shembën nga moti i keq, ndërsa shumë familje palestineze mbetën pa strehë pasi tendat e improvizuara u shkatërruan. UNICEF paralajmëron se temperaturat gjatë natës bien në 8–9 gradë dhe kushtet e rënda sanitare rrisin rrezikun e përhapjes së sëmundjeve.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme