Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e të ashtuquajturit “takimi i Arubas”, duke bërë publikë tre emra që, sipas tij, kanë qenë të pranishëm në këtë takim dhe kanë përfaqësuar qeverinë shqiptare.
Pas paraqitjes në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, Berisha deklaroi para gazetarëve se bëhet fjalë për Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi, sekretarin e përgjithshëm të PS-së Ergys Agasi dhe ish-ministrin Damian Gjiknuri.
Sipas Berishës, ata janë dërguar në Aruba nga kryeministri Edi Rama së bashku me biznesmenë, ndërsa pretendoi se praninë e tyre e provojnë dosje hetimore të autoriteteve spanjolle, belge dhe italiane.
“Në Aruba kanë qenë dy ose tre zyrtarë të lartë të dërguar nga Edi Rama së bashku me biznesmenë. Kjo del në dosjen spanjolle, del në dosjen belge, del në dosjen italiane. Fshehja e këtyre emrave tregon se ky shtet është drogë dhe droga është shtet”, u shpreh Berisha.
Kreu i opozitës sqaroi se nuk disponon vetë dosjen, por tha se ka informacion për identitetin e personave që, sipas tij, kanë marrë pjesë në këtë takim.
“Po ta kisha dosjen, do t’i publikoja 100 për qind. Unë kam të dhëna për emrat”, deklaroi ai.
Berisha rezervoi sulmet më të forta për Damian Gjiknurin, duke kujtuar debatet e mëparshme mbi këtë çështje.
Ai tha se i kishte kërkuar ish-ministrit të betohej mbi Bibël se nuk kishte qenë në Aruba, por sipas tij, Gjiknuri nuk e kishte pranuar këtë sfidë.
“Tha se betohej në Kushtetutë, por jo në Bibël. Ia krijova mundësinë, i thashë dil këtu, të nxjerrim Biblën dhe betohu. Nuk pranoi”, u shpreh Berisha, duke e lidhur këtë edhe me një udhëtim që, sipas tij, Gjiknuri kishte zhvilluar në Malin Athos.
Ndërkohë, Berisha sqaroi se nuk ka akuzuar Taulant Ballën për përfshirje në çështjen e Arubas.
“Për Aruban nuk ia kam thënë Taulant Ballës, sepse nuk kam të dhëna. Për gjëra të tjera po, por jo për këtë”, deklaroi ai.
Gjatë prononcimit, Berisha hodhi akuza edhe ndaj SPAK-ut, duke pretenduar se institucioni po shmang hetimin e çështjeve që, sipas tij, prekin qeverinë, përfshirë “Albanian Files”, krimet zgjedhore dhe, sipas tij, fshehjen e identitetit të zyrtarëve që kanë marrë pjesë në takimin e Arubas.






















