Bota 25 Maj 2025, 19:50 Nga VNA

Babai i nëntë fëmijëve të vrarë nga një sulm ajror izraelit në Gaza vijon të mbetet në gjendje kritike

Ndaje në Whatsapp
Babai i nëntë fëmijëve të vrarë nga një sulm

 

Burri i një doktoreshë palestineze në Gaza, fëmijët e së cilës u vranë në një sulm izraelit të premten, ndodhet ende në gjendje kritike për jetën, sipas spitalit ku po trajtohet.

Hamdi al-Najjar, bashkëshorti i doktoreshës Alaa al-Najjar, është në rrezik për jetën, tha për BBC-në doktoresha bullgare Milena Angelova-Chee, e cila punon në spitalin Nasser në Khan Younis.

Një sulm ajror izraelit vrau nëntë nga dhjetë fëmijët e çiftit të premten dhe la të plagosur Hamdiun dhe djalin e tyre 11-vjeçar, Adam. Ushtria izraelite ka deklaruar se ngjarja është në hetim.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar njoftoi gjithashtu se dy punonjës të tij humbën jetën nga një tjetër sulm në shtëpinë e tyre në Khan Younis të shtunën. Viktimat janë Ibrahim Eid, specialist për ndotje nga armët, dhe Ahmad Abu Hilal, roje sigurie në Spitalin Fushor të Kryqit të Kuq në Rafah. Kjo, sipas ICRC-së, tregon për “numrin të papërballueshëm të viktimave civile në Gaza”, ndërsa organizata përsëriti thirrjen për armëpushim.

Të dielën, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamas-i në Gaza njoftoi se nga sulmet ajrore izraelite që nga agimi janë vrarë 22 persona, kryesisht në zonat qendrore dhe jugore të territorit.

Hamdi al-Najjar – vetë mjek, si bashkëshortja e tij – ka pësuar dëmtime të mëdha në tru, mushkëri, krahun e djathtë dhe veshkë, sipas doktoreshës Angelova-Chee. “Po bëjmë gjithçka mundemi për të,” u shpreh ajo. Djali i tyre i vetëm i mbijetuar, Adam, është gjithashtu i plagosur, por mjekët thonë se gjendja e tij është “relativisht e qëndrueshme”.

Dr. Alaa al-Najjar ndodhej në spitalin Nasser në momentin e sulmit izraelit. Një video e ndarë nga drejtori i Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Muneer Alboursh, dhe e verifikuar nga BBC, tregonte trupa të vegjël, të djegur, duke u nxjerrë nga rrënojat.

Nëntë fëmijët që humbën jetën – Yahya, Rakan, Raslan, Gebran, Eve, Rival, Sayden, Luqman dhe Sidra – ishin nga disa muajsh deri në 12 vjeç. Dr. Angelova-Chee tha se kolegia e saj po përjeton një dhimbje “të pashprehshme”.

“Aktualisht, prioriteti i saj është familja,” tha ajo, duke shtuar: “Nuk është e vetmja që po përballet me këtë tragjedi, shumë familje janë në të njëjtën situatë.” Ajo shtoi se stafi është “shumë i tronditur sepse kjo situatë po zgjat tashmë 18 muaj dhe shoqërohet me kërcënime të vazhdueshme për jetë, zhvendosje dhe evakuime”.

Ushtria e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaroi të shtunën se “avionët goditën disa persona të dyshuar që po vepronin nga një strukturë pranë trupave izraelite në zonën e Khan Younis”.

IDF e konsideron zonën e Khan Younis një “zonë lufte të rrezikshme” dhe u ka bërë thirrje banorëve të largohen për sigurinë e tyre. Të hënën, IDF lëshoi një urdhër evakuimi të përmasave të mëdha për të gjithë qarkun e Khan Younis, një nga më të mëdhenjtë muajt e fundit.

Disa palestinezë i thanë BBC-së se nuk kishin ku të shkonin. Sipas OKB-së, rreth 81% e territorit të Gazës është aktualisht subjekt i urdhrave të evakuimit izraelit ose ndodhet në zona të militarizuara të ndaluara për civilët.

Izraeli rifilloi sulmet ajrore dhe operacionet tokësore më 18 mars dhe që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë vrarë 3,785 palestinezë.

Pas sulmit që vrau nëntë fëmijët e familjes al-Najjar, një grua izraelite e mbajtur peng në Gaza foli në një tubim në Tel Aviv. Naama Levy – një nga pesë ushtaret e zbulimit të rrëmbyera më 7 tetor nga Hamasi – tha se ajo kishte frikën më të madhe nga bombardimet ajrore gjatë robërisë së saj dhe mendonte se do të vdiste sa herë që fillonin sulmet. Ajo shprehu shqetësim për jetën e pengjeve të mbetura në Gaza.

Izraeli vendosi një bllokadë totale ndaj Gazës më 2 mars, që zgjati 11 javë, para se të lejonte ndihma të kufizuara pas paralajmërimeve për uri masive dhe zemërim në rritje ndërkombëtar.

Trupi ushtarak izraelit COGAT tha të shtunën në mëngjes se 388 kamionë ndihma kishin hyrë në Gaza që nga e hëna. Por OKB-ja thotë se janë të nevojshëm 500 deri në 600 kamionë në ditë.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) njoftoi se të shtunën nuk kishte hyrë asnjë kamion ndihme dhe shpërndarja e bukës ishte ndërprerë.

“Për shkak të furnizimeve të kufizuara që mbërrijnë në Gaza dhe presionit të madh ndaj furrave nga turma të mëdha, pronarët e furrave kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë e objekteve, punonjësve dhe përfituesve”, tha një zëdhënës i WFP në një deklaratë.

Ai shtoi se “WFP pajtohet dhe mbështet vendimin kolektiv të pronarëve të furrave për të ndërprerë punën gjatë natës së 24 majit për shkak të kërcënimeve serioze për sigurinë”.

Doktoresha Angelova-Chee tha se kolegët e saj në spital po punojnë “të uritur”, dhe një prej tyre i kishte treguar se i kishin mbetur vetëm disa paketa të vogla me biskota me hurma për të ngrënë.

Izraeli ka deklaruar se bllokada ka për qëllim të ushtrojë presion ndaj Hamasit për të liruar pengjet që ende mban në Gaza. Izraeli akuzon gjithashtu Hamasin për vjedhje të furnizimeve, gjë që grupi e ka mohuar.

Izraeli nisi fushatën ushtarake në Gaza pas sulmit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor 2023, gjatë të cilit u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.

Që nga ajo kohë, të paktën 53,939 persona, përfshirë të paktën 16,500 fëmijë, janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së territorit.

Video

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet zyrtare, sipas të cilave fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Rezultatet zyrtare të shpallura nga KQZ janë si më poshtë: • Lëvizja Vetëvendosje: 49.79% • Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 21.18% • Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 13.77% • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): 5.74% • Lista Serbe: 3.87% • Nisma Socialdemokrate: 1.72% Ndërkohë, mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur para selisë së kësaj force politike në Prishtinë, ku kanë nisur festimet për fitoren e shpallur.

Një nga stuhitë më të forta të shiut të viteve të fundit ka nisur që në orët e para të mëngjesit në Rripin e Gazës. Reshjet intensive kanë vazhduar pa ndërprerje, duke shkaktuar përmbytje të shumta në kampet e improvizuara dhe shembje të tendave ku strehohen mijëra persona të zhvendosur. Sipas raportimeve nga terreni, uji ka depërtuar në zona të gjera banimi, duke përkeqësuar ndjeshëm kushtet tashmë të vështira humanitare. Autoritetet lokale dhe organizatat humanitare kanë ngritur alarmin për rrezikun e shtuar ndaj shëndetit dhe sigurisë së civilëve, veçanërisht grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në klubin Mar-a-Lago të Presidentit amerikan Donald Trump në Palm Beach, Florida, për bisedimet e paqes. Kreu ukrainas mbërriti në klub dhe përshëndeti Trump para se të hynte në pronën me stil mesdhetar. Trump tha më parë se bisedimet e tyre do të zhvilloheshin në dhomën e ngrënies së Mar-a-Lago, një hapësirë e zbukuruar me lartësi dhe piktura murale. Ndërkohë Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti amerikan Donald Trump ranë dakord të flasin pas takimit të Trump me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të dielën, tha ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov. Gjatë telefonatës midis Trump dhe Putin, e cila zgjati 1 orë e 15 minuta, të dy udhëheqësit shprehën se “përgjithësisht ndajnë pikëpamje të ngjashme” se një armëpushim i përkohshëm vetëm do të zgjaste konfliktin në Ukrainë, tha Ushakov.

Banorë të Vlorës, të lënë prej katër ditësh pa ujë të pijshëm, u mblodhën sot në protestë përpara Teatrit “Petro Marko”. Protesta u shoqërua me tensione, pasi një grup qytetarësh çau kordonin e policisë dhe hyri në ambientet e teatrit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit me furnizimin me ujë. Në reagim, forca të shumta policore u dislokuan brenda dhe jashtë godinës. Policia shoqëroi disa nga protestuesit, ndërsa u kërkua largimi i qytetarëve nga ambientet e brendshme të teatrit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme