Kronika 13 July 2026, 16:03 Nga VNA

Avokati i Popullit gjen kushte çnjerëzore në burgun e Shënkollit: Mbipopullim i rëndë, duhet të ishte spital, e jo burg me dy psikiatër

Ndaje në Whatsapp

Avokati i Popullit po zhvillon sot dhe nesër një inspektim të paparalajmëruar në burgun e Shënkollit, në kuadër të mandatit si Mekanizëm Kombëtar për Parandalimin e Torturës.

Gjetjet paraprake janë shqetësuese. Grupi i inspektimit konstatoi mbipopullim të rëndë të ambienteve të akomodimit dhe mungesë të theksuar të personelit mjekësor, në raport me nevojat shëndetësore të të burgosurve. Kushte të tilla cenojnë dinjitetin njerëzor dhe standardet minimale të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT).

Gjatë inspektimit po verifikohen kushtet e akomodimit, kujdesi shëndetësor, regjistrat e ankesave dhe po zhvillohen biseda private me të burgosur, pa praninë e stafit të institucionit.

“Ky nuk duhet të jetë një IEVP sepse këta nuk janë persona që po vuajnë dënimin. Këta janë persona ndaj të cilëve është marrë një masë mjekësore. Ndërkohë kushtet janë degraduese. 12 veta në një dhomë në kushte që janë denigruese për të drejtat e njeriut, janë shkelje direkte e të drejtave të njeriut.

Ajo që ne konstatojmë është që këtu duhet në mënyrë urgjente ndërhyrje, duhet që këtu të kemi një spital me siguri të shtuar, jo një burg me dy psikiatër. Pra këtu ka mungesë ekstreme të stafit mjekësor, këtu ka kushte jashtëzakonisht të rënda. Një pjesë e godinës është e pabanueshme, pra është për t'u shembur, një pjesë tjetër janë të përqendruar, dhe 12 veta në një qeli. Është e papranueshme. Do duhet ndërhyrë në mënyrë të sa më të shpejtë, këtu Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë do duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë urgjente”,-tha Avokati i Popullit, Endrit Shabani.

Ndërkohë, ndihmëskomisionerja e mekanizmit Gloria Çarkaxhiu tregoi përpjekjet për ta shndërruar këtë burg në spital. 

“Kërkojmë gjithashtu që niveli i organizimit si edhe vetë organizimi i këtij institucioni të jetë në formën e një spitali. Pra nuk mund të ndodhemi tani para një ambienti ku kapacitetet maksimale vazhdojnë të jenë 280, por ne sot kemi mbi 430 pacientë që ndodhen aty dhe marrin mjekim”,-tha ajo.

Ahmet Prençi Komisioner, Mekanizmi kundër Torturës, theksoi mbipopullin e këtij burgu. 

“Ky institucion me dyfish kapacitet të pacientëve është i pamundur që të respektohen liritë dhe të drejtat e njerëzve brenda tyre, dhe ideja themelore është që kjo nuk duhet të jetë më burg, duhet të jetë një spital që sigurohet nga Ministria e Drejtësisë vetëm rrethimi i jashtëm nga policia e burgjeve, dhe brenda duhet të ketë vetëm personel mjekësor të bollshëm, të mjaftueshëm për të kryer detyrën funksionale ndaj shërbimeve që u kryen pacientëve”,-tha Prençi.

Në përfundim, Endrit Shabani, Avokati i Popullit, kërkoi një ndërhyrje urgjente, dhe tha se kjo situatë duhet të jetë prioriteti numër një i të dy ministrive të cilat kanë përgjegjësi direkte për të ndërhyrë. 

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme