
Një operacion policor i koduar “Fast” ka çuar në pranga një 39-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, për llogari të drejtësisë spanjolle.
Strukturat e FAST Albania, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor në Malësi të Madhe të shtetasit Gentjan Handraj, alias Gentjan Hotaj, me origjinë nga Kopliku.
Kapja e tij erdhi pas një pune të koordinuar mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve homologe në Spanjë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas të dhënave të hetimit, 39-vjeçari rezultonte në kërkim nga Interpol Madrid, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle, me vendim të datës 8 korrik 2026, i kishin caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Handraj akuzohet nga drejtësia spanjolle për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”. Sipas dosjes hetimore, aktiviteti i dyshuar kriminal ishte i organizuar dhe kishte si qëllim tregtimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në kuadër të një grupi kriminal.
Pas arrestimit të tij, Interpol Tirana ka nisur procedurat zyrtare për ekstradimin drejt Spanjës. Në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, po vijojnë hapat ligjorë për transferimin e 39-vjeçarit, ku ai do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij.






















