Kronika 17 July 2026, 13:03 Nga VNA

SPAK kërkon rrëzimin e 23 kërkesave të Ilir Beqajt, ish-ministri përplaset në gjykatë me prokurorët

Ndaje në Whatsapp

efwfefew.jpg

Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është shoqëruar me debate të forta mes mbrojtjes së tij dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Prokurorët kanë kërkuar rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura nga Beqaj, duke i cilësuar ato të pabazuara ligjërisht, ndërsa ish-ministri ka ngritur akuza ndaj mënyrës së funksionimit të organit të akuzës.

Prokurori i Posaçëm Edvin Kondili deklaroi para gjykatës se pretendimet e Beqajt kanë marrë përgjigje gjatë fazës së hetimit dhe në seancën paraprake. Sipas SPAK, kërkesa për shpalljen e pavlefshmërisë së njoftimit të akuzës duhet të rrëzohet, pasi të gjitha veprimet procedurale janë miratuar nga gjyqtari paraprak.

Në lidhje me pretendimin e Beqajt se akuza për vjedhje nuk është e provuar, SPAK argumentoi se ish-ministri nuk po paraqet kërkesa konkrete, por ngre çështje që duhet të trajtohen gjatë konkluzioneve përfundimtare të procesit.

Sa i përket mungesës së kontratës origjinale të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, prokuroria pranoi se mosgjetja e dokumentit përbën një problem procedural, por theksoi se në dosje ndodhet kopja e njësuar e kontratës, e cila konsiderohet provë e vlefshme. Gjithashtu, SPAK mbrojti ligjshmërinë e të dhënave të siguruara nga kontrolli elektronik i pajisjeve kompjuterike.

Nga ana tjetër, Ilir Beqaj ka kundërshtuar qëndrimin e prokurorisë, duke pretenduar se gjatë hetimeve janë cenuar të drejtat e tij procedurale dhe se kjo po e vështirëson përgatitjen e mbrojtjes.

“Organi i akuzës pranoi që në fazën e hetimeve mi ka cenuar hapur të drejtat e mia. Sot unë e kam të vështirë të bëj mbrojtjen. Pavarësinë e fituar pas Reformës në Drejtësi prokurorët po e përdorin për të shkelur të drejtat procedurale”, deklaroi Beqaj në sallën e gjyqit.

Ish-ministri pretendoi gjithashtu se kallëzimi ndaj tij duhej të ishte refuzuar që në fillim, pasi sipas tij bazohej në dyshime dhe pyetje, jo në fakte konkrete. Ai ngriti pikëpyetje edhe mbi certifikimin e laboratorit forenzik të SPAK, duke kërkuar që prokuroria të provojë nëse pajisjet e përdorura për ekzaminimin e kompjuterave përmbushin standardet e kërkuara.

Pas dëgjimit të palëve, gjykata vendosi të mos shprehet menjëherë për kërkesat e paraqitura. Seanca e radhës është caktuar më 11 shtator, kur trupi gjykues pritet të japë vendimin për 23 kërkesat e ish-ministrit.

Video

Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Ish-kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi, u paraqit në Gjykatën e Posaçme, pasi pritet të zhvillohet seanca paraprake në ngarkim të tij dhe tre të pandehurve të tjerë. Kokoneshi është i pandehur për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në të njëjtën dosje po gjykohen edhe Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo. SPAK i akuzon se kanë shkelur ligjin lidhur me procedurat e dhënies me qira të disa tokave bujqësore për ngritjen e impianteve diellore me afat shfrytëzimi 10-vjeçar.

Kjo është tavolina ku ishin ulur Armand Tomorrica dhe Renaldo Mançja në momentin kur ndodhën të shtënat në lokalin në lagjen “Vullnetari” në Elbasan. Në tavolinë ndodhej edhe kamarieri i lokalit, Bjorgi Hoxha, i cili mbeti gjithashtu i plagosur nga plumbat. Në momentin e sulmit, brenda lokalit ndodhej edhe një efektiv Policie jashtë shërbimit, i cili sapo dëgjoi të shtënat doli menjëherë dhe u vu në ndjekje të autorit. Gjatë arratisjes, autori hodhi armën e zjarrit, por arriti të largohej në thellësi të lagjes. Policia ka rrethuar zonën dhe vijon kontrollet intensive për kapjen e tij.

Një avion i vogël është përplasur me çatinë e një banese në zonën e Hjustonit, në shtetin amerikan të Teksasit, teksa po përpiqej të ulej pranë një piste private. Si pasojë e aksidentit, piloti është transportuar në një spital lokal, ku po merr trajtim mjekësor për lëndime të rënda. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur nëse në momentin e përplasjes ndodheshin persona brenda banesës apo nëse ka të lënduar të tjerë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme