Kronika 23 May 2025, 10:49 Nga VNA

Aksioni në Durrës / Kush është Akili, i shumëkërkuari i italianëve. Në pranga vëllezërit përmetarë të dyshuar për lidhje me atentate mafioze

Ndaje në Whatsapp
Aksioni në Durrës / Kush është Akili, i

Një aksion i beftë i policisë së Durrësit i koduar “Enigma” dërgoi në pranga 7 persona, 3 prej të cilëve të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.

Në mesin e të arrestuarve është Xhevdet Plaku, kreu i një grupi kriminal që trafikonte sasi të mëdha kokaine.

Xhevdet Plaku, alias Kiss, 45 vjeç, ishte në kërkim nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”. Ai ishte arratisur nga burgu i Ankonës, në muajin janar 2025, dhe për këtë arsye autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër arresti për të.

Më herët, Xhevdet Plaku, alias Kiss, një ish i dënuar për vrasje, i kishte shpëtuar një atentati për motive hakmarrjeje nga Rexhep Rapi, i njohur si Kep Arapi, i cili është dënuar bashkë me nipin, Algert Rapin. Plani ishte ta vrisnin teksa dilte nga Drejtoria e Policisë së Durrësit dhe informacionin për këtë do ta jepte Dedan Gjoni, atëkohë zyrtar policie.

Kep Arapi do ta ekzekutonte në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij, Sali Rapi, në vitin 2000, vrasje të cilën dyshohet se e kishte kryer Xhevdet Plaku bashkë me një person tjetër. 45-vjeçari Plaku ka një histori të pasur të lidhur me krimin në kohë të ndryshme. I njohur me nofkën ‘Akili’, por edhe shumë të tjera, të cilat i ka vënë në përdorim sa herë ia ka lypur nevoja, ai thuhet se ishte drejtuesi i një grupi kriminal shqiptar me bazë në Itali që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Holanda dhe Belgjika, bandë e cila thuhet se i ndante pakot e drogës në bazë të cilësisë. Cilësi e cila dallonte edhe emërtimet, ku kokaina më e pastër ishte ‘Hermes’ dhe më pas ‘Lacoste’, ‘G4’, ‘Rolls Royce’ dhe ‘Play Boy’.

Në janar të 2025-s ishte arratisur nga burgu në Itali dhe ishte shndërruar në një nga emrat më të shumëkërkuar. Mbrëmjen e kaluar ai ndodhej në një lokal në zonën e Gjirit të Lalzit, bashkë me disa të kërkuar të tjerë, kur edhe u vu në pranga.

Drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, tha se aksioni u ndërmor pas një informacioni se “disa shtetas në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ishin në ambientet e një restoranti në Gjirin e Lalzit dhe dyshohej se kishin armë zjarri me vete. Bazuar në këto informacione dhe në analizën e riskut, lindi nevoja për përfshirjen në operacion edhe të Drejtorisë së Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit. Në kuadër të operacionit, në masa të larta sigurie, shërbimet policore ndërhynë në mënyrë të befasishme në ambientet e restorantit ku ndodheshin këta shtetas”.

Flobens Mecia, alias Gega, alias Drini, 43 vjeç, ishte i dyti i shumëkërkuar që përfundoi në pranga, pasi në muajin korrik 2024, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. “Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri, pistoletë me fishek në fole, gati për qitje”, njoftoi policia.

Voltan Xhani, 39 vjeç, rezident në Holandë, ishte emri i radhës i shumëkërkuar nga drejtësia, pasi në muajin shtator 2024 ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkodrës për akuzat “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit Elis Rroshkodol, ndodhur në Shkodër. Xhanit iu bllokua arma gati për qitje.

Në pranga përfundoi dhe vëllai i tij, Jugert Xhani, 35 vjeç, për akuzat “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Katër personat e tjerë u arrestuan pasi mbështesnin të kërkuarit. Gjatë aksionit u sekuestruan shuma parash, euro dhe sende të tjera.

“Ky operacion është organizuar dhe zhvilluar në një kohë rekord, me profesionalizëm, duke u finalizuar me sukses, pavarësisht shkallës së lartë të rrezikshmërisë, siç e citova edhe më lart, pasi 3 prej tyre i kishin armët e zjarrit me fishekë në fole, gati për qitje”, theksoi Vilson Bala.

Video

Regjisorja rome Alina Șerban mbërriti në Festivalin e Filmit të Venecias e shoqëruar nga muzika dhe vallet e komunitetit të saj, duke e kthyer paraqitjen në tapetin e kuq në një festë të identitetit dhe rrugëtimit personal. Filmi i saj i parë me metrazh të gjatë, “Eu contez” (“Unë kam rëndësi”), fitoi çmimin e publikut Armani Beauty në seksionin “Venice Spotlight”. Historia frymëzohet nga jeta e vetë regjisores: nga adoleshenca në sistemin e kujdesit social deri te pranimi në Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik në Londër. Për realizimin e filmit, Șerban përfshiu të rinj që jetojnë ose kanë jetuar në shtëpi kujdesi, me të cilët ka punuar për dhjetë vjet. Ata i pati pranë edhe në prezantimin zyrtar të veprës në Venecia.

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme