Një muaj më parë VNA publikoi denoncimin e z. Aleko Miho, profesor doktor në Departamentin e Biologjisë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, mbi ndotjen në ujërat e Liqenit të Tiranës. Sipas studimit të kryer nga studenti Shpëtim Vata, ujërat rezultuan helmuese, shkak për këtë rezulton të jetë derdhja e ujërave të zeza nga bashkia Tiranë.
Në rrjetin social Facebook, profesor Mibo shkruante se "Bëhet fjalë për një lulëzim të cianobakterit Microcystis aeruginosa, ndër të tjera i njohur si lloj helmues. Në formë të tillë të dendur ky lloj është gjetur për herë të parë prej nesh në Liqenin e Tiranës"
Sipas tij këto lulëzime janë pasojë dhe sinjale të ngarkesës së madhe (ndotjes) me lëndë ushqyese që vijnë nga ujërat e patrajtuara urbane, por jo vetëm, të cilat grumbullohen në mënyrë të vazhdueshme në këtë Liqen.
"Ndër të tjera qelizat e mikrocistis mund të prodhojnë anatoksina (toksina nervore), mikrocistina (toksina e mëlçisë), lipopolisakaride (irritues të lëkurës) dhe BMAA (beta-metilamino-L-alaninë; toksina nervore). Këto helme lëshohen në mjedisin ujor gjatë shpërbërjes së qelizës, dhe janë shpesh me pasoja të rënda për botën e gjallë ujore të liqenit, përfshirë këtu dhe shpendët ujorë, kafshët e tjera të steresë, përfshirë dhe njeriun si përdorues i këtyre ujërave"-shkruan ndër të tjera profesor Miho.
Sot shtresa e trashë e algave mbi një pjesë të madhe të sipërfaqes së liqenit artificial të Tiranës duket me sy të lirë nga të gjithë ndërsa analiza laboratorike të bëra nga biologët e Universitetit të Tiranës thonë se ajo që shihet me sy të lirë është në fakt ndotje e shkaktuar nga derdhja në liqen e ujërave të përdorura urbane të patrajtuara.
VNA po publikon sot edhe dhjetëra foto, si dëshmi të gjendjes reale të Liqenit të Tiranës dhe nivelit të ndotjes, që shikohet edhe me sy të lirë.
Përkundër kësaj, Agjencia Kombëtare e Mjedisit thotë se analizat e kryera prej saj “nuk nxjerrin probleme”.
“Analizat që bëmë para disa ditësh nuk patën tregues ndotje”- i tha BIRN-it të mërkurën drejtoresha e AKM-së, Arta Dollani duke shtuar se “jemi në proces verifikimi”. Dollani gjithsesi nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për të marrë një kopje të rezultatit të analizave.
Derdhja e ujërave të zeza në liqenin që përbën zemrën e parkut të vetëm të madh të kryeqytetit është në fakt një fenomen që dallohet me sy të lirë dhe që qytetarët që shëtisin në këtë park e ndjejnë në hundën e vet rregullisht, veçanërisht në anën jug-lindore, në të cilën gjatë dekadës së fundit janë ndërtuar shumë pallate e vila, brenda basenit ujëmbledhës të liqenit. Së paku dy rrëke uji të cilat normalisht duhet të derdhin në liqen ujërat e pastra të shiut janë në mënyrë të dukshme të mbushura me ujëra të zeza.
Kjo situatë gjithsesi, sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nuk rezulton të jetë ndotje, ndonëse, verifikimet vijojnë.
Pyetur nga BIRN, Miho i cilësoi kontradiktore të dhënat e analizave të AKM-së, ndërsa shtoi se niveli i fosforit është shkaku kryesor i gjendjes së një Liqeni dhe se algat nuk janë shkak, po pasojë.
Gjithsesi ai shton se shqetësimi i ngritur nuk synon të krijojë panik tek qytetarët, por të ndërgjegjësojë autoritetet përgjegjëse për cilësinë e ujërave në vend, jo vetëm në liqenin artificial, por në lumin e Lanës, Ishmit, etj…
Reagim të institucioneve për rastin dhe për një administrim funksional të ujërave kërkon dhe Taulant Bino, drejtues i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë (AOS).
“Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës është nën administrimin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, por duke marrë parasysh kapacitetet njerëzore si dhe detyrat funksionale të këtij institucioni, është e pamundur të hetojnë mbi burimin e ndotjes”- tha ai për BIRN, duke sugjeruar miratimin e një plan-veprimi për bioversitetin nga Bashkia Tiranë.
Sipas Binos, duhet një bashkëpunim i ngutshëm me kërkues shkencorë dhe inpektoratet relevante të fushës së cilësisë së ujërave për të kuptuar origjinën e ndotjes dhe për ta kontrolluar apo eleminuar atë.
Shqipëria është vendi i fundit në kontinentin evropian që i derdh ujërat e përdorura drejtpërsëdrejti në liqene apo lumenj, pa i përpunuar më parë për të parandaluar ndotjen. Një projekt madhor që synonte të ndërtonte një sistem të përpunimit të ujërave të zeza për zonën e kryeqytetit ka mbetur i parealizuar me punime të bllokuara tashmë që prej së paku gjashtë vitesh. Qeveria dhe Bashkia Tiranë nuk kanë dhënë shpjegime publike se pse investimi në fjalë nuk është realizuar.