Politika 14 August 2026, 22:08 Nga VNA

Selenica proteston për “mbijetesë”, Rama me Sadushin hedhin valle në Vajzë

Ndaje në Whatsapp
Selenica proteston për “mbijetesë”, Rama me Sadushin

Teksa në Selenicë politika lokale është bashkuar për të kundërshtuar shkrirjen e bashkisë, vetëm pak kilometra më tej shqetësimet për hartën e re territoriale duket se ia kanë lënë vendin festës. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ishin mes të pranishmëve në festivalin “Vajza Fest”, që zhvillohet në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, ku nuk munguan batutat, muzika dhe vallja.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme, 19 këshilltarë të majtë dhe të djathtë votuan në parim kundër propozimit që parashikon shkrirjen e Bashkisë Selenicë dhe bashkimin e saj me Vlorën. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryebashkiaku socialist Nertil Bellaj.

Në Këshill, Bellaj foli qartë. Ai argumentoi se Selenica duhet të vazhdojë të funksionojë si njësi vendore më vete, pasi bashkimi me Vlorën do të dëmtonte përfaqësimin dhe zhvillimin e zonës.“Borxhi publik i Bashkisë Selenicë sot është 3.6%, renditemi ndër të parat për diversitetin ekonomik. Nuk kemi varësi nga një sektor, por nga të gjithë sektorët. Ky është qëndrimi im me fakte, nuk është qëndrim politik, nuk është për karrigen time, jam apo nuk jam”, deklaroi Bellaj.

Por kundërshtimi i fortë në sallën e Këshillit Bashkiak  nuk u dëgjua me të njëjtën qartësi në “Vajza Fest”, ku përballë Bellajt ndodhej vetë Rama.

Në fjalën e tij në festival, kryebashkiaku zgjodhi të fliste për trashëgiminë kulturore, bukuritë natyrore dhe potencialin e Labërisë. Madje, duke iu drejtuar Kryeministrit, nuk mungoi as batuta për “ujin e detit” që kishte mbërritur deri në zonat malore.

Kur erdhi radha te e ardhmja e Bashkisë Selenicë, kundërshtimi i prerë i mbledhjes së Këshillit u kthye në një formulim shumë më diplomatik.

“Ne jemi munduar, që ashtu siç e ka famën të madhe Labëria, të madhe ta bëjmë bashkinë tonë. Pastaj të shikojmë si do shkojnë gjërat”, tha Bellaj.

Pra, në Këshillin Bashkiak gjërat dukeshin të qarta: Selenica nuk duhet të shkrihet. Përballë Ramës, e njëjta çështje përfundoi me një “të shikojmë”.

Ndërkohë, Kryeministri nuk i kurseu batutat. Rama falënderoi kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për ftesën dhe mes humorit përshëndeti edhe ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, duke thënë se ishte i pranishëm “për të parë si funksionon bashkia Selenicë”.

Një batutë që tingëllon edhe më ironike në një moment kur pikërisht ekzistenca e Bashkisë Selenicë është vënë në pikëpyetje nga propozimi i socialistëve për hartën e re territoriale.

Në fund, dita prodhoi dy Selenica. Në njërën, 19 këshilltarë dhe kryebashkiaku socialist kundërshtojnë shkrirjen dhe nxjerrin argumentet në tavolinë. Në tjetrën, Rama dhe Sadushi hedhin valle, ndërsa Bellaj, këtë herë përballë Kryeministrit, nuk ia thotë me të njëjtën prerje kundërshtinë që artikuloi në Këshill.

Dhe ndërsa e ardhmja e Selenicës mbetet ende pikëpyetje, në Vajzë vallja vazhdon.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme