
Për arsye sigurie, takimi i kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë dhe ministrat, i cili ishte njoftuar se do të zhvillohej në selinë e Partisë Socialiste, është zhvendosur në Pallatin e Brigadave.
Takimi i parashikuar të nisë në orën 17:30, nuk do të mbahet në selinë rozë, por në ambientet e Pallatit të Brigadave.
Vendimi vjen pasi një ditë më parë, nga sheshi i protestës, një prej pjesëmarrësve bëri thirrje për grumbullim këtë të premte përpara selisë së Partisë Socialiste.
Gjatë thirrjes u kërkua gjithashtu që protestuesit të përdornin vezë për të goditur drejtuesit politikë dhe ministrat socialistë.
Një skenar i ngjashëm është përdorur edhe gjatë protestave të zhvilluara në fund të korrikut përpara Parlamentit.






















