Bamir Halili (Axhami), 30 vjeç, është ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.
Policia e Shtetit njofton se ekstradimi u finalizua në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit dhe koordinimit informativ e operacional mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit.
Halili, i lindur në Kukës, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndaj tij, në vitin 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
30-vjeçari akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Dhuna në familje”.





















