Kronika 4 September 2026, 13:05 Nga VNA

Vrasja e Viktor Bardhit në Mirditë ende pa autorë, dyshime se ekzekutorët ngritën “kurth” për hetuesit

Ndaje në Whatsapp

fvdfvdd.png

Vrasja e Viktor Bardhit, i njohur edhe me mbiemrin Marku, në Ndërfushas të Mirditës vijon të mbetet pa autorë të identifikuar, ndërsa grupi hetimor po punon për të rindërtuar lëvizjet e ekzekutorëve para dhe pas atentatit.

Një nga vështirësitë kryesore të hetimit lidhet me terrenin ku ndodhi krimi. Mësohet se në hyrje të fshatit Ndërfushas ka kamera sigurie, por nga këqyrja e pamjeve nuk është evidentuar lëvizja e ndonjë automjeti në intervalin kohor kur dyshohet se është kryer vrasja.

Për këtë arsye, hetuesit dyshojnë se autorët mund të kenë përdorur nënkalimin e Rrugës së Kombit për t'u larguar nga vendngjarja. Një tjetër skenar që po shqyrtohet është që ekzekutorët të kenë kaluar në këmbë përtej barrierave mbrojtëse të rrugës, të cilat ndodhen vetëm pak metra larg vendit ku dyshohet se ishte ngritur prita.

Deri më tani, as këqyrja e kamerave të sigurisë në pikat hyrëse dhe dalëse të Rrëshenit nuk ka dhënë gjurmë të automjetit që mund të jetë përdorur nga autorët.

Ndërkohë, pikëpyetje janë ngritur edhe rreth automjetit të gjetur të djegur në zonën e Munazit. Mjeti u zbulua rreth 20 minuta pasi familjarët e 65-vjeçarit njoftuan se e kishin gjetur atë të pajetë. Megjithatë, brenda automjetit nuk janë gjetur armë apo prova të tjera që, deri në këtë fazë, ta lidhin drejtpërdrejt me ekzekutimin.

Kjo ka bërë që hetuesit të mos përjashtojnë mundësinë që automjeti i djegur të mos jetë përdorur për kryerjen e atentatit, por të jetë lënë qëllimisht për të humbur gjurmët dhe për ta orientuar hetimin drejt një piste të gabuar.

Një tjetër pistë që po shqyrtohet është ajo e bashkëpunëtorëve. Dyshohet se ekzekutorët mund të jenë ndihmuar nga persona të tjerë, të cilët mund t'i kenë pritur me një automjet të dytë pas vrasjes dhe më pas t'i kenë larguar nga zona.

Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve, zbardhjen e plotë të mënyrës së organizimit të atentatit dhe përcaktimin e personave që mund të kenë ndihmuar ekzekutorët para ose pas krimit.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme