Kronika 3 September 2026, 14:49 Nga VNA

Policia reagon zyrtarisht për përplasjen me armë mes biznesmenëve Vasil Bedini dhe Luan Muça, por në njoftim nuk përmendet asnjë emër

Ndaje në Whatsapp

ChatGPT Image Sep 3, 2026, 02_51_58 PM.png

Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen e rëndë të regjistruar në zonën e Radhimës, ku dyshohet se janë përfshirë në një konflikt të armatosur biznesmenët Vasil Bedini dhe Luan Muça. Megjithatë, në njoftimin paraprak të Policisë nuk bëhet publik emri i asnjë prej personave të përfshirë në ngjarje.

Njoftimi i Policisë:

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.

Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.

Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen.

Ndërkohë, VNA raportoi më herët se konflikti dyshohet se ka ndodhur në një hotel në zonën e Radhimës dhe se pronari i tij, Vasil Bedini, është dhunuar dhe ka përfunduar në spital.

Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga VNA, përplasja dyshohet se ka nisur për shkak të një shume parash, që mund të lidhet me një gjobë ose një borxh të papaguar. Gjatë konfliktit dyshohet se janë përdorur edhe armë, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe Luan Muça, pronar i kompanisë “Delta”.

Personat që dyshohet se kanë sulmuar pronarin e hotelit janë larguar me automjet, por gjatë arratisjes makina është përmbysur në rrugë. VNA ka siguruar edhe pamjet e automjetit të përmbysur pas ngjarjes.

Vlen të theksohet se reagimi zyrtar i Policisë erdhi vetëm pasi VNA bëri publike ngjarjen dhe raportoi detajet e para mbi personat e përfshirë. Por edhe pas publikimit të rastit, Policia sërish nuk ka guxuar të bëjë të ditur qoftë edhe me iniciale identitetin e personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, duke u mjaftuar me një njoftim pa emra dhe pa sqaruar se cilët janë personat e shoqëruar, të dëmtuar apo të dyshuar për konfliktin.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme