Mijëra mbështetës të opozitës kanë dalë në rrugët e kryeqytetit indian, Delhi, në një nga protestat më të mëdha kundër qeverisë së kryeministrit Narendra Modi në vitet e fundit. Tubimi, i organizuar nga aleanca opozitare INDIA dhe i udhëhequr nga Partia e Kongresit, u përqendrua te kundërshtimi i rishikimit të regjistrave zgjedhorë, proces gjatë të cilit janë hequr më shumë se 130 milionë emra nga listat e votuesve.
Opozita pretendon se ky proces, i njohur si “Rishikimi Special Intensiv”, mund të përjashtojë miliona qytetarë nga e drejta e votës dhe se fshirjet kanë prekur në mënyrë disproporcionale pakicat fetare, veçanërisht myslimanët. Sipas drejtuesve opozitarë, mënyra se si po kryhet rishikimi mund t’i japë një avantazh elektoral Partisë Bharatiya Janata, e cila drejton vendin nën udhëheqjen e Modit.
Gjatë protestës, lideri i opozitës Rahul Gandhi kërkoi dorëheqjen e kryekomisionerit zgjedhor, Gyanesh Kumar, duke e akuzuar atë se po cenon të drejtën e qytetarëve për të votuar. “Ai ka kryer krimin më të madh. Është përpjekur të heshtë zërin e popullit dhe të mbytë vendin tonë”, deklaroi Gandhi, duke paralajmëruar se opozita nuk do të lejojë që demokracia të shkatërrohet. Ai iu drejtua gjithashtu kryeministrit Modi me mesazhin: “Nuk ke ku të shkosh”.
Opozita ka kërkuar jo vetëm dorëheqjen e Kumarit, por edhe nisjen e procedurave për shkarkimin e tij. Nga ana tjetër, Komisioni Zgjedhor dhe BJP i kanë hedhur poshtë akuzat për manipulim politik, duke argumentuar se procesi synon të pastrojë listat nga emrat e personave të vdekur, regjistrimet e dyfishta dhe votuesit që nuk plotësojnë kriteret.
Protesta e së dielës vjen pas disa javësh mobilizimi dhe pakënaqësie në rritje ndaj qeverisë së Modit, në pushtet që prej vitit 2014. Një rol të rëndësishëm në këtë valë protestash kanë luajtur edhe lëvizjet e të rinjve, veçanërisht grupimi satirik “Buburrecat” (Cockroach), i cili u shfaq gjatë verës dhe organizoi protesta që, sipas raportimeve, çuan në dorëheqjen e një ministri të kabinetit qeveritar.
Lëvizja u rikthye në rrugë muajin e kaluar, duke kundërshtuar gjithashtu rishikimin e listave zgjedhore. Mobilizimi i të rinjve duket se i ka dhënë më shumë shtysë Partisë së Kongresit dhe aleancës opozitare, megjithëse mes grupimeve tradicionale politike dhe aktivistëve të rinj vijon të ketë mungesë besimi.
Pavarësisht se drejtuesit e lëvizjes “Buburrecat” shprehën mbështetjen për tubimin në Delhi, ata nuk morën pjesë personalisht në protestë. Ndërkohë, autoritetet zgjedhore vijojnë të mbrojnë procesin e rishikimit, ndërsa përplasja mes qeverisë dhe opozitës për të drejtën e votës po kthehet në një nga debatet kryesore politike në Indi.






















