Bota 1 November 2026, 22:09 Nga VNA

Gjykata në Alaskë rrëzon padinë e Trumpit, dështon përpjekja për të bllokuar certifikimin e zgjedhjeve

Ndaje në Whatsapp
Gjykata në Alaskë rrëzon padinë e Trumpit, dështon

Një gjykatë federale në Alaskë ka rrëzuar padinë e administratës së Donald Trumpit, e cila synonte të pengonte certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për Senatin amerikan në rast se republikani Dan Sullivan humbiste garën. Vendimi u mor të dielën nga gjykatësja federale Sharon Gleason, vetëm dy ditë para zgjedhjeve të mesit të mandatit, që do të mbahen më 3 nëntor. 

Padia e Departamentit amerikan të Drejtësisë kërkonte që certifikimi i rezultatit të bllokohej nëse diferenca mes kandidatëve do të ndikohej nga votat e dhëna për një kandidat tjetër me emrin Dan J. Sullivan, i cili garon përballë senatorit republikan Dan S. Sullivan. Administrata Trump pretendonte se ngjashmëria e emrave mund të krijonte konfuzion te votuesit dhe të ndikonte në rezultatin e garës.

Megjithatë, gjykatësja Gleason vlerësoi se kërkesa e qeverisë ishte praktikisht e pazbatueshme. Një pjesë e votave të hedhura paraprakisht ishte përzier tashmë dhe nuk mund të identifikoheshin pa cënuar fshehtësinë e votës. Gjykata theksoi gjithashtu se administrata nuk kishte paraqitur një plan konkret se si mund të ndaheshin dhe të hetoheshin votat pa cënuar privatësinë e zgjedhësve. 

Rasti ka marrë vëmendje të veçantë edhe për shkak të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Trumpit. Presidenti amerikan kishte deklaruar se ishte ai që kishte urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të ngrinte padinë, duke kërkuar që të mos certifikohej një fitore e mundshme e kandidates demokrate Mary Peltola nëse votat për kandidatin me emër të ngjashëm mund të kishin ndikuar në rezultat. Peltola dhe fushata e saj kanë mohuar përfshirjen në kandidimin e Dan J. Sullivan. 

Gara në Alaskë konsiderohet e rëndësishme për kontrollin e Senatit amerikan, ku republikanët synojnë të ruajnë shumicën. Rrëzimi i padisë përbën një pengesë për përpjekjen e administratës Trump për të ndërhyrë në procesin e certifikimit të zgjedhjeve, kompetencë që sipas Kushtetutës amerikane u takon autoriteteve të shteteve. Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë po vijon një hetim të veçantë lidhur me rrethanat e kandidimit të Dan J. Sullivan.

Video

Një zjarr i fuqishëm përfshiu hotelin “Good Luck” në Nepal, përgjatë rrugës turistike që të çon drejt kampit bazë të malit Everest. Sipas autoriteteve lokale, zjarri shpërtheu rreth orës 11:00 dhe dyshohet se u shkaktua nga një bombol gazi në kuzhinën e hotelit. Të gjithë turistët dhe punonjësit u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa nuk raportohet për viktima apo të lënduar.

Në ditën e 20-të, studentët janë mbledhur në protestë përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sot shënohen dy vite nga tragjedia e 1 nëntorit 2024 në Novi Sad të Serbisë, ku shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor u mori jetën 16 personave. Pavarësisht reshjeve të shiut, qytetarë të shumtë u mblodhën sot në vendin e tragjedisë, ku vendosën lule dhe ndezën qirinj në kujtim të viktimave. Ngjarja shkaktoi protesta masive kundër qeverisë serbe. Edhe dy vite më pas, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, hetim të plotë të tragjedisë dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme