Politika 27 July 2026, 15:33 Nga VNA

Ditari i propagandës/ Saktësisht 12 muaj nga stuhia e lirimit të trotuareve, modelet e arkitektëve nuk erdhën kurrë, por tavolinat u rikthyen

Ndaje në Whatsapp

Sot mbushen saktësisht 12 muaj nga korriku i vitit 2025, kur vendi u përfshi nga ajo që u proklamua si fushata më radikale për "çlirimin e territorit". Ishte mesi i verës kur ekskavatorët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe inspektorët me shirita masës në duar zbritën në terren për të shkulur çadrat, muret e xhamit, platformat e drurit dhe karriget që kishin mbyllur çdo hapësirë publike.

Kronologjia e deklaratave pompoze, premtimeve arkitekturore dhe rikthimit të heshtur në pikën e nisjes tregon se si një fushatë shtetërore përfundoi thjesht si një ushtrim propagande.

Kronologjia e një aksioni me letër e laps

19 Korrik 2025: Shpallja e pikave të "çlirimit" dhe matematika e re.

Gjatë pikut të ndërhyrjeve, Kryeministri Edi Rama vendosi të lartësonte shifrat e punës në rrjetet sociale:
"Në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e çliruar," — deklaronte ai më 19 korrik, duke premtuar rregullat e reja të lojës. Aty u hodh për herë të parë edhe formulimi që duhej të hynte në histori:

"Për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t'u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët, 25% njësia e shërbimit. Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik."

21 Korrik 2025: Futja e dronëve në lojë

Vetëm dy ditë më pas, kryeministri vendosi ta çonte narrativën te teknologjia e lartë shkencore, duke premtuar se zaptuesit e trotuareve do të ndiqeshin nga ajri:
"Nuk është më çështje inspektorësh dhe inspektimesh, por vendosjes së kontrollit nëpërmjet teknologjisë... jemi në proces për monitorimin e strukturuar të territorit ku përmes dronëve do të ndjekim gjithçka që ndodh në territor."


27 Korrik – 3 Gusht 2025: Promovimi i "Rilindjes Urbane 2.0"

Për javë të tëra, Kryeministri vijoi të publikonte pamje të çmontimeve nga çdo lagje e Tiranës dhe qyteteve bregdetare, duke u zotuar:
"Kjo punë sapo ka nisur dhe nuk do të jetë as një javë, as një muaj, po do të vijojë sa të jetë e nevojshme... po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0, për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas."

12 Muaj më pas: Plani i "zhdukur"

Sot, sot një vit pas atyre deklaratave që premtonin arkitektë të huaj, dronë inteligjentë dhe një rregullim përfundimtar:

Asnjë plan i unifikuar nuk u publikua: Dokumenti që do t'u jepej "së shpejti" bizneseve mbeti një mit urban. Asnjë udhëzues grafik apo standard i unifikuar estetik nga arkitektët e proklamuar nuk u mor vesh se ku përfundoi.
Formula 75/25 ngeli në Facebook: Matematika e trotuareve nuk u përkthye kurrë në ndryshime ligjore apo rregullore zyrtare bashkiake.

Pushtimi u rikthye: Sapo vapa e verës kaloi dhe aparatet e celularëve të kryeministrisë fikën kamerat, bizneset rikuperuan çdo centimetër të humbur. Sot, këmbësorët në Tiranë (dhe jo vetëm) duhet të bëjnë përsëri sllalom mes karrigeve, tavolinave dhe tabakave të kamarierëve në të njëjtat hapësira që u "çliruan" me zhurmë.

Aksioni i madh me dronë, arkitektë ndërkombëtarë dhe 20 mijë metra katrorë të çliruar me letër, prodhoi thjesht të njëjtën pamje: trotuare të riokupuara dhe një plan urbanistik që, pas 12 muajsh, rezulton të jetë ndërtuar plotësisht mbi smaltin e fjalëve.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme