Politika 8 June 2026, 19:32 Nga VNA

Dita e nëntë e protestës, mijëra qytetarë mbushin bulevardin; mes tyre edhe deputetë të opozitës

Ndaje në Whatsapp
Dita e nëntë e protestës, mijëra qytetarë mbushin

Dita e nëntë e protestës qytetare kundër projektit në Zvërnec dhe kundër klasës politike e gjeti bulevardin përpara Kryeministrisë me një pjesëmarrje më të madhe se në ditët e mëparshme. Protestues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe shqiptarë nga troje të tjera, iu bashkuan tubimit që nisi në Sheshin Skënderbej dhe vijoi me marshim drejt godinës së Kryeministrisë.

Mes pankartave, flamujve kombëtarë dhe thirrjeve të shumta, dominuan sloganet “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Atdheu jemi ne”, “Poshtë kasta politike” dhe “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”. Protestuesit shigjetuan si qeverinë ashtu edhe opozitën, duke i cilësuar partitë politike pjesë të së njëjtës klasë politike që ka dominuar vendin gjatë 35 viteve të fundit.

Organizatorët deklaruan se këtë herë do të kishte më pak fjalime dhe më shumë hapësirë për qytetarët dhe mesazhet e tyre. Ata përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe u bënë thirrje qytetarëve të vijojnë protestat në mënyrë paqësore.

Në protestë u dëgjuan Himni Kombëtar dhe kënga patriotike “Xhamadani Vija-Vija”, ndërsa pjesëmarrësit valëvitën flamuj kombëtarë dhe marshuan përgjatë bulevardit.

Ndërkohë, në shesh u vunë re edhe deputetë dhe mbështetës të opozitës zyrtare. Mes tyre ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila iu bashkua protestuesve në një tubim ku një nga mesazhet kryesore mbeti refuzimi i të gjithë klasës politike.

Protesta, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, po merr gjithnjë e më shumë karakter politik, me kërkesa që shkojnë përtej çështjes së investimit dhe fokusohen te qeverisja, korrupsioni dhe ndryshimi i elitës politike.

Tubimi i së hënës tërhoqi vëmendje edhe ndërkombëtare, duke u transmetuar drejtpërdrejt nga Reuters. Organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen deri në dëgjimin e kërkesave të tyre.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme